Në Shqipëri më 30 korrik personeli akademik dhe studentët do t’i drejtohen kutive të votimit në 12 universitete publike për të zgjedhur rektorët, senatet akademike dhe përgjegjësit e departamenteve.
Zgjedhjet po zhvillohen në një klimë të pazakontë për shkak të Pandemisë së shkaktuar nga infeksioni Kovid 19. Kësaj situate i është shtuar dhe një konflikt mes Rektorit të UT-së dhe Komisionit Institucional të Zgjedhjeve mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve në këtë Universitet. Ky debat është dhe objekti i një padie të ngritur në Gjykatën Administrative nga grupimi “Qëndresa qytetare”.
“Qëndresa qytetare” ngriti një padi në gjykatën administrative të shkallës së parë, kundër Komisionit Zgjedhor dhe Universitetit të Tiranës, për mosrespektim të proçedurave dhe afateve, kundër një komisioni të cilit i kishte mbaruar afati i ushtrimit të detyrës së tij dhe që përbëhej nga pedagogë të shkarkuar nga rektori në fuqi”, tha për Zërin e Amerikës, Rigels Xhemollari, drejtor ekzekutiv i “Qëndresa Qytetare”.
Rektori i UT Mynyr Koni përmes një shkrese drejtuar Ministres se Arsimit, në fillim të muajit maj, kundërshtoi mbajtjen e zgjedhjeve në qershor për shkak të pandemisë, por edhe se një urdhër i Ministres së Arsimit për mbylljen e vitit akademik 2019-2020, kufizonte sipas tij pjesëmarrjen e studentëve në votime. Ndërkohë që Komisioni Institucional Zgjedhor, e vijoi punën me njofimet për kandidatët, duke argumentuar se mbështetet në statut, rregullore dhe vendimet e Senatit si dhe në praktikën e unifikuar të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2012, mbi parimin e vijimësisë me kohë të përcaktuar, pas përfundimit të mandatit. Konflikti u përshkallëzua me shkarkimin nga Rektori të 5 pedagogëve anëtarë të këtij komisioni, për shpërdorim detyre, të cilët u kthyen në detyrë nga Senati. Zgjedhjet e 12 qershorit, u shtynë nga Ministrja e Arsimit, ndërsa Rektori i UT i kundërshton edhe ato që priten të mbahen në 30 korrik në kushtet e paligjshmërisë së Komsionit Institucional Zgjedhor, siç argumenton ai në një shkresë të pak ditëve më parë dërguar Kryeministrit, Presidentit dhe Ministres së Arsimit. Ndërkohë kryetarja e këtij komisioni Majlinda Keta sjell këtë argument, në një intervistë të posaçme për Zërin e Amerikës.
“Unë mendoj së këtë vit Universiteti i Tiranës është në sfidën e përballjes më forcën e vet institucionale. Por ka një gjë të mirë të ndryshme nga politika. Këtu janë shuar “njëshat”nga mënyra se si është kompozuar statuti sipas ligjit dhe nga mënyra se si janë konceptuar rregulloret. Tek ne nuk mund të lindë një pengmarrës individual. Është e pamundur, pasi vendimarrja është më bazë Senatin”, u shpreh Majlindja Keta, Kryetare e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve në UT.
Pedagogu i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Zydi Teqja thotë se po shpenzohet shumë energji me diskutime për Ligjin e Arsimit të Lartë dhe se ai në 3 dekada ka ndryshuar sa herë kanë ndryshuar partitë në qeverisje.
“Këto ndryshime, ndërsa e kanë transformuar strukturën e universiteteve, pak kanë ndikuar në mbarëvajtjen e proçesit mësimor në Universitete. Universitetet gjithnjë dhe më shumë duhet të fokusohen në përmirësimin e përmbajtjes së mësimdhënies” thotë për Zërin e Amerikës Zydi Teqja, pedagog në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Ministrja e Arsimit Besa Shahini në një interpelancë në parlament e pranoi ngërçin e krijuar për shkak të mbarimit të mandatit të autoriteteve drejtuese të Universiteteve dhe i dha përgjigje zërave për shtyrjen e zgjedhjeve në vjeshtë.
“11 nga 12 rektorët e Universiteteve, që janë të përfshirë në zgjedhje, na kërkuan që të shpallen zgjedhjet sa më parë që është e mundur. Rritja e rasteve të infektimit rrezikon fillimin e vitit akademik dhe mund të shtyjë zgjedhjet pafundësisht” tha Besa Shahini Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve.
Por, studentët kërkojnë dhe rritjen e peshës së votës së tyre nga 10% në 30%, për të cilën kanë dorëzuar një nismë ligjore në kuvend. Ata shohin si pengesë për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet universitare në Tiranë, një urdhër të Ministres se Arsimit gjatë kohës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore për marrjen e masave për mbylljen e vitit akademik 2019-2020.
“Sipas një urdhëri që vetë Ministria e Arsimit ka nxjerrë në 30 prill, 3/5 ose 60% e studentëve nuk do të jenë në universitet në datën 30 korrik, pasi studentët e vitit të parë dhe të dytë baçelor dhe ata të vitit të parë master duhet të kthehen në universitete vetëm në 25 gusht. Nga ana tjetër studentët e vitit e fundit, që janë kthyer për të dhënë provimet dhe për t’u diplomuar, në pjesën më të madhe i mbyllin këto provime në datën 25 korrik”, shpjegoi për Zërin e Amerikës Marash Logu, student në Fakultetin e Drejtësisë, në Tiranë.
Ministrja Besa Shahini tha në Kuvend se insitucionet e arsimit të lartë janë të hapura deri më 7 gusht dhe se janë hequr kufizimet e transportit publik, gjë që lehtëson lëvizjen e studentëve. Pedagogu Zydi Teqja thotë se pjesëmarrja në prezantimet e platformave të kandidatëve është e vështirë për shkak të situatës, por se ai vë re një interesim në rritje të studentëve.
“Debati që bëhet fokusohet vetëm tek zgjedhja e rektorëve dhe më pak e dekanëve. Në fakt studentët në këto zgjedhje përcaktojnë dhe përfaqësuesit e tyre në senatet akademike. Ky është një moment i rëndësishëm që ata të angazhohen për të zgjedhur përfaqësuesit më të mirë, që do të paraqesin dhe mbrojnë interesat e studentëve në Senatet Akademike”, tha Zydi Teqja, Pedagog në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Prezantimi i platformave të kandidatëve për autoritetet drejtuese të universiteteve, po realizohet në auditorë të hapur sipas protokolleve të sigurisë si pasojë e pandemisë, por edhe në komunkime on line.Qëndresa qytetare thotë se rreth 70% e tyre rikandidojnë në pozicionet aktuale, dhe se pjesa dërrmuese nuk kanë rivalë. Shqetësimi i këtij grupimi, që ka monitoruar prej disa kohësh financat, menaxhimin, cilësinë dhe mjaft aspekte të tjera të universiteteve, lidhet me disa sfida të vazhdueshme të cilat po sfumohen nga debati mbi ligjshmërinë e proçesit zgjedhor.
“Edhe në aspektin e kërkimit shkencor edhe në aspektin e kontrollit të plagjiaturave, vettingut akademik, nuk kemi asnjë rezultat. Në 4 vite në universitetet kryesore janë shpenzuar zero lekë për kërkimin shkencor. Universitetet kanë shpenuzar të gjitha paratë e studentëve dhe të buxhetit të shtetit, vetëm për tendera sigurie, për tendera që nuk kanë të bëjnë fare për kërkimin shkencor. Kur shkojmë në Universitet nuk kemi një fotokopje për studentët, nuk kemi një laborator sipas standardeve europiane, pra nuk kemi shërbimet kryesore, të cilat meritojnë të kenë studentët”, tha Rigels Xhemollari, drejtor ekzekutiv i organizatës “Qëndresa Qytetare”.
Kryetarja e Komisionit Institucional Zgjedhor në Universitetin e Tiranës mendon se sfidat janë të mëdha.
“Në kushtet e këtyre sfidave dhe të një buxheti shtetëror tepër të pakonsiderueshëm për kërkimin shkencor, është pikërisht kjo ndarje e pushteteve që duhet respektuar maksimalisht. që të jemi nikoqirët më të mirë të mundshëm të atyre financave që ne menaxhojmë brenda institucioneve tona”, u shpreh Majlindja Keta, Kryetare e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve në UT.
Presidenti i Republikës Ilir Meta ka bërë thirrje për gjithpërfshirje në këto zgjedhje universitare. Sipas ligjit ai do të dekretojë rektorët që do dalin prej tyre dhe vendimarrja e tij ka një peshë të rëndësishme. 4 vjet me parë pati akuza se zgjedhjet u kërcënuan nga bota e krimit, ndërsa këtë herë debati për ligjshmërinë e tyre duket se do të sfumojë sërish problemet reale të fushës akademike.