Zgjedhjet paraprake përgatisin skenën për zgjedhjet e përgjithshme presidenciale

  • Jeffrey Young

Zgjedhjet paraprake përgatisin skenën për zgjedhjet e përgjithshme presidenciale

Procesi politik në Shtetet e Bashkuara për zgjedhjen e kandidatëve për president ëshë i gjatë, dhe zgjedhjet e ardhshme paraprake do të jenë në shtetin veripërëndimor Nju Hampshir. Më 10 janar, ky shtet zhvillon zgjedhjet e para paraprake të rregullta pas zgjedhjeve të javës së kaluar në Ajova. Në këtë pjesë mbi zgjedhjet në Amerikë, korrespondenti i Zërit të Amerikës Jeffrey Young shpjegon se si zgjedhjet paraprake përgatisin terrenin për zgjedhjet e Nëntorit 2012 ku do të përballen partia demokratike me partinë republikane.

Nju Hampshir është shtet me territor dhe popullsi të vogël, por zgjedhjet atje tërheqin vëmendjen e mbarë vendit. Dhe, jehona e rezultateve arrin deri në Shtëpinë e Bardhë.

Në shumicën e shteteve, votuesit regjistrohen në një parti politike dhe mund të votojnë vetëm për kandidatët e asaj partie. Por në disa shtete, si Nju Hampshir, votuesit të cilët nuk janë të regjistruar me ndonjë parti mund të marrin pjesë në zgjedhjet paraprake.

Candice Nelson është eksperte e zgjedhjeve.

“Qëllimi i sezonit të zgjedhjeve paraprake është t’u mundësojë kandidatëve të prezantojnë veten para votuesve, t’i japin votuesve mundësinë për t’u njohur me kandidatët në mënyrë që ata të mendojnë për kandidatët gjatë një periudhe prej 3 ose 4 muajsh.”

Kandidatët gjithmonë kanë bërë fushata duke takuar persona një nga një proces që analistët e quajnë “politikë me pakicë.” Ata shkojnë nga qyteti në qytet për t’i dhënë dorën votuesve, marrin pjesë në tubime të ndryshme, dhe gjejnë mënyra tjera për t’u takuar me elektoratin. Kandidatët i shfrytëzojnë këto kontakte për t’i njoftuar votuesit me qëndrimet e tyre ndaj çështjeve të ndryshme. Steffen Schmidt është studius politik në Universitetin e Ajovës.

“Është si një skenë, ose një kongres ku kandidatët vijnë dhe përpiqen të shesin mallin e tyre. Dhe ne, i lejojmë ata ta bëjnë këtë. Ata që shesin shumë mallra vazhdojnë garën.”

Kandidatët janë shitës kurse votuesit janë blerës. Njerëzit që marrin pjesë në ngjarjet politike si tubimet e fushatave zgjedhore nuk e bëjnë këtë thjesht për t’i dhënë dorën kadidatëve, por ata duan shqetësimet e tyre të merren parasysh. Phil Eliot është korrespondent politik i Associated Press.

“Ata marrin pjesë në këto aktivitete. I mbushin kafenetë, presin me orë të tëra për të takuar kandidatët dhe për t’i bërë atyre pyetje serioze dhe të rëndësishme.”

Periudha tradicionale prej 3 ose 4 muajve e zgjedhjeve paraprake në shtetet amerikane ka filluar të tkurrret në zgjedhjet e fundit presidenciale, ndërkohë që shtetet vendosin t’i organizojnë ato më herët me shpresën se ato do të tërheqin më shumë vëmendjen kombëtare dhe do të kenë më shumë ndikim në përcaktimin e kandidatit presidencial. Disa njerëz kanë propozuar që të gjitha shtetet të organizojnë zgjedhjet paraprake në të njejtën ditë. Mark Rom është studiues politik në Universitetin Georgetown.

“Përparësia kryesore e organizimit të zgjedhjeve paraprake në nivel kombëtar është se votuesit, votat nga individët në mbarë vendin, do të kenë të njejtën fuqi në zgjedhjen e kandidatëve presidencialë. Kjo do të ishte gjë e mirë. Ana negative e mbajtjes së zgjedhjeve paraprake kombëtare është se ato do t’i japin përparësi të veçant atyre kandidatëve të cilët kanë mbledhur më shumë fonde, dhe atyre që kanë patur popullaritet më të madh në fillim të garës.”

Në zgjedhjet paraprake, vota e hedhur për një kandidat presidencial në fakt është votë për delegatët e kandidatit në kogresin kombëtar të partisë, që zakonisht zhvillohet dy muaj para votimit përfundimtar. Kandidatët me numrin më të madh të delegatëve në përgjithësi fitojnë emërimin e partisë për t’u bërë kandidat i partisë në zgjedhjet e përgjithshme presidenciale në nëntor të vitit 2012. Kandidati që i fiton zgjedhjet bëhet president i Shteteve të Bashkuara.