Zbutje mes presidentit dhe Zv/Prokurorit Rosenstein 

Presidenti Donald Trump thotë se nuk ka në plan të shkarkojë Zëvendës Prokurorin e Përgjithshëm Rod Rosenstein. Zoti Rosenstein mbikqyr procesin hetimor të Prokurorit Special, Robert Mueller lidhur me ndërhyrjet e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016 dhe dyshimet se presidenti ka penguar drejtësinë në përpjekje për të bllokuar këto hetime.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë thotë se presidenti ka biseduar me zotin Rosenstein gjatë fluturimit për të takuar një grup me punonjës të strukturave të rendit në Florida.

Zëdhënësi tha se presidenti, zoti Rosenstein si dhe zyrtarë të tjerë diskutuan mbi situatën e rendit, sigurinë kufitare dhe tema të tjera.

Muajin e kaluar u duk se zëvendës prokurori i përgjithshëm ishte në rrezik për t’u shkarkuar kur media njoftoi se në 2017 ai kishte sugjeruar që të inçizohej fshehtazi zoti Trump në Shtëpinë e Bardhë duke peshuar argumentat për shkarkimin e presidentit nga detyra si i paaftë për të përmbushur përgjegjësitë e presidencës. Zoti Rosenstein përgënjeshtroi njoftimet për deklarata të tilla. Gjatë fjalimit dje në Florida, presidenti dukej se e kishte lënë pas këtë incident.

“Falenderoj gjithashtu Zëvendës Prokurorin tonë të Përgjithshëm, Rod Rosenstein që erdhi këtu. Udhëtuam bashkë. Gazetarët na pyesim se për çfarë folëm. Patëm një diskutim shumë të mirë. Thjesht ky fakt po bën bujë të madhe, që zhvilluam një bisedë shumë të mirë”.

Ndihmësit e presidentit e këshilluan të mos e shkarkonte zotin Rosenstein, pjesërisht pasi ligjvënësit e duan zëvendës prokurorin e përgjithshëm në detyrën e mbikqyrësit të procesit hetimor mbi Rusinë. Presidenti e ka sulmuar në mënyrë të përsëritur këtë proces si “gjueti shtrigash”, duke mohuar se fushata e tij ka bashkëpunuar me Rusinë për ta ndihmuar zotin Trump të fitojë zgjedhjet apo se ai kishte penguar drejtësinë.