Vritet ish presidenti i Jemenit

Ish presidenti i Jemenit, Ali Abdullah Saleh është vrarë. Lajmi u njoftua fillimisht nga burime të forcave rebele huthi dhe u konfirmua më pas nga partia e zotit Saleh.

Një udhëheqës i partisë së tij, Kongresi i Përgjithshëm i Popullit, fajësoi rebelët huthi për vrasjen e ish presidentit.

75-vjeçari Ali Abdullah Saleh sundoi në Jemen për më tepër se tre dekada dhe ai u detyrua të largohet nga posti nën presionin popullor në vitin 2012. Por ai vazhdoi të ishte i pushtetshëm pas skene, duke formuar një aleancë me forcat huthi, që kanë mbështetjen e Iranit.

Vrasja e tij ndodh dy ditë pasi aleanca me forcat huthi u prish. Të shtunën ai u shpreh kundër forcave huthi dhe sugjeroi rivendosjen e lidhjeve me Arabinë Saudite.

Forcat rebele, që njoftuan të parat për vrasjen e tij, thanë se ai ishte duke udhëtuar për në Arabinë Saudite kur u vra. Forcat e ish presidentit Saleh dhe ato huthi u bashkuan para tre vjetësh dhe pushtuan kryeqytetin Sana duke detyruar presidentin e njohur nga komuniteti ndërkombëtar, Abdu Rabu Mansour Hadi, të largohej nga vendi dhe të gjente strehim në Arabinë Saudite.

Përleshjet mes luftëtarëve besnikë të zotit Saleh dhe forcave huthi shpërthyen fillimisht javën e kaluar, kur Saleh i akuzoi rebelët për sulmin ndaj xhamisë së tij gjigande në Sana dhe për sulmin ndaj nipit të tij, Tarek Saleh, komandant i fuqishëm i forcave speciale.

David Mack, ish diplomat amerikan tani me Institutin për Lindjen e Mesme, e cilëson Ali Abdullah Salehun si “një nga politikanët më të zgjuar të botën arabe” dhe një njeri që mendonte se ishte larguar padrejtësisht nga pushteti nga Këshilli i Bashkëpunimit i Gjirit Persik, që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

“Ai dëshironte të kishte edhe një shans të përmirësonte emrin e tij të dëmtuar shumë, shumë rëndë gjatë dekadës së fundit”, i tha zoti Mack Zërit të Amerikës, para se të mësohej se Saleh ishte vrarë.