Prokurorët në Jemen ngrenë akuza ndaj personit të dyshuar për komplotin e dështuar

  • Zëri Amerikës

Prokurorët në Jemen ngrenë akuza ndaj personit të dyshuar për komplotin e dështuar

Prokurorët në Jemen ngritën akuza ndaj një kleriku radikal të lindur në Shtetet e Bashkuara, i cili dyshohet të ketë qënë i lidhur me komplotin e dështuar për vendosje bombe në avion dhe vrasjen e të huajve. Ai akuzohet gjithashtu si anëtar i al-Kaidës.

Prokurorët publikuan sot akuzat kundër Anvar al-Avlakit në një sallë gjyqi në Sana ku ai po gjykohet në mungesë. Kjo është masa e parë ligjore zyrtar kundër Avlakit, i cili besohet se fshihet në Jemen.

Zyrtarët amerikanë besojnë se Avlaki kishte rol në sulmin e dështuar mbi një avion me destinacion për në Shtetet e Bashkuara dhjetorin e kaluar, si dhe me një sulm të nëntorit 2009 që la të vrarë 13 persona në një bazë ushtarake amerikane.

Prokurorët i shpallën akuzat kundër Avlakit ndërsa hapnin gjykimin ndaj një tjetër personi, Hisham Assemit. Zyrtarët e akuzojnë Assemin për vrasjen e një francezi gjatë një sulmi mbi një firmë nafte muajin e kaluar. Ai i mohoi akuzat dhe tha se ishte rrahur dhe detyruar të jepte dëshmi nën presion.