Arrestohet Xhelal Mziu, kryetar i bashkisë së Kamzës

Për shkeljet në tendera janë akuzuar edhe zyrtarë të tjerë të administratës qendrore, ish-ministra dhe ish-drejtorë. Neni për shkelje të barazisë në tendera është pika kryesore, mbi të cilën po ngrihen tani akuza ndaj zyrtarëve të ndryshëm.

Kryetari i bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, u arrestua në mbrëmje nga policia e Tiranës nën akuzat për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera. Një tjetër zyrtar i bashkisë, drejtori juridik i kësaj bashkie, Atli Hoti u shpall në kërkim nga forcat e rendit. Me kërkesë të prokurorisë së Tiranës, gjykata vendosi masën e sigurisë arrest me burg për kryetarin e bashkisë së Kamzës dhe juristin për shpërdorim detyre. Prokuroria konfirmoi se dy shtetasit e hetuar prej disa muajsh kanë kryer veprime të kundërligjshme në tenderin e qershorit për ndërtimin e rrugës Laknas - Valias i Ri.

Fillimisht komisioni i prokurimit publik shpalli fitues kompaninë “Gj... sh.p.k.”, por ajo më vonë bëri ankesë, sepse kompania u skualifikua nga komisioni i prokurimit të bashkisë. Ndërkohë që shqyrtohej kjo ankesë, sqarojnë burimet zyrtare, rruga kishte nisur të ndërtohej nga një kompani tjetër, e cila nuk kishte arritur ta fitonte këtë tender.

Ministria e brendshme njoftoi se 46 vjeçari Xhelal Mziu dhe 37 vjeçari Atli Hoti janë akuzuar për dy vepra penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së barazisë në tendera”, dhe policia e Tiranës arrestoi bashkiakun dhe është vënë në kërkim të juristit. Në ngarkim të tyre prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike.

Sektori i krimit ekonomik ka shqyrtuar dokumentat për disa muaj dhe sot është urdhëruar arrestimi i kryetarit të njërës prej bashkive më të reja të vendit, e populluar kryesisht me banorë të ardhur nga zonat periferike të Shqipërisë. Zoti Mziu, në mandatin e dytë si bashkiak, është ndër të paktët, që po akuzohet nga pushtetarët vendorë. Më parë ai ka qenë edhe drejtues i ujësjellësit të kryeqytetit. Një tjetër zyrtar i njohur vendor i akuzuar, me disa mandate në krye të bashkisë së Vlorës, është edhe Shpëtim Gjika, i cili akuzohet për shkelje të ligjeve të urbanistikës.

Për shkeljet në tendera janë akuzuar edhe disa zyrtarë të tjerë të lartë të administratës qendrore, ish-ministra dhe ish-drejtorë. Neni për shkelje të barazisë mes konkurrentëve në tendera është pika kryesore, mbi të cilën po ngrihen tani akuza ndaj zyrtarëve të ndryshëm. Ish-ministri i mbrojtjes, Arben Imami, dhe ish-drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Hysni Burgaj, dhe zyrtarë pranë ish-ministrit të punës, Spiro Ksera, janë paditur nga pasardhësit për shkelje ligjore në barazinë e tenderave të organizuar për të financuar prodhimin dhe shpërndarjen e reklamave televizive.

Partia Demokratike ka deklaruar se këto akuza janë fushata mediatike për të dëmtuar imazhin e opozitës, ndërsa qeveria po mundohet të bindë Bashkimin Europian se po lufton korrupsionin. Edhe PD 8 vjet më parë edhe PS qershorin e kaluar premtuan se do të luftojnë korrupsionin, megjithatë rezultatet gjithnjë janë vlerësuar të pamjaftueshme. Edhe sot shtimi i luftës kundër korrupsionit është kërkesa kryesore e BE-së para se Shqipëria të mund të marrë statusin e vendit kandidat deri në qershorin e ardhshëm.

Lufta ndaj korrupsionit vështirësohet edhe më tej prej mungesës së mirëkuptimit pozitë - opozitë për një reformim të thellë të sistemit gjyqësor. Të dy palët periodikisht në pushtet premtojnë se do ta kryejnë këtë reformë në sistemin e drejtësisë, edhe kjo mbetet një temë aktuale. Indeksi i perceptimit të korrupsionit është i lartë dhe në rritje në popullatën shqiptare, ndërsa Shqipëria vazhdon të humbë rregullisht më shumë vende në renditjen botërore të vendeve të korruptuara.