Bota pret Vitin e Ri 2011 me festime madhështore

  • Zëri Amerikës

Kremtimi i Vitit të Ri në sheshin Skuer të Hong Kongut

Organizatorët në Nju Jork thonë se rreth 1 milion njerëz u mblodhën për të pritur Vitin e Ri 2011 në sheshin Skuer të qytetit.

Kremtuesit filluan të mblidhen qysh dje në mesditë për zbritjen e përvitshme të topit gjigand, të njohur me emrin “Waterford Crystal”, për të shënuar ndërrimin e moteve. Fishekzjarret ndritnin qiellin mbi Nju Jork, ndërsa topi po zbriste nga lartësia dhe turma brohoriste “Gëzuar Viti i Ri”.

Vendet e Amerikës së Jugut po festojnë orët e para të 2011-ës, ndërsa amerikanët në Alaskë dhe Havai e presin akoma ardhjen e vitit të ri.

Njerëzit në Evropë, Afrikë, Azi dhe ishujt e Paqësorit pritën 2011-ën disa orë më parë me festë e fishekzjarre. Viti i ri arriti së pari në vendin ishull të Paqësorit, Kiribati.

Banorët e Zelandës së Re mirëpritën 2011-ën me shfaqje spektakulare fishekzjarresh në qytetin Okland dhe me kremtime në vendbanime të tjera. Ndërkaq në Sidnej të Australisë, së paku 1,5 milion njerëz u mblodhën për shfaqjen e përvitshme të fishekzjarreve në Urën e Limanit.

Natën e Vitit të Ri, Presidenti kinez, Hu Gjintao, iu drejtua vendit me një fjalim, duke u zotuar për marrëdhënie ndërkombëtare paqësore dhe njëherësh duke bërë thirrje edhe për transformimin e ekonomisë së nxitur nga eksporti.

Në mesnatë në Dubai, fishekzjarret shpërthyen nga të gjitha anët e ndërtesës më të lartë në botë.

Në qytetin e Vatikanit, Papa Benedikti mbajti një shërbesë në bazilikën e Shën Pjetrit. Ai pritet të drejtojë një meshë Ditën e Vitit të Ri.