Politika këtë javë në Uashington

  • Michael Bowman
Këtë javë, Presidenti Barack Obama do të shpalosë vizionin e tij për shpenzimet dhe taksat e qeverisë amerikane. Siç vihet në dukje në materialin në vazhdim, fokusi tek e ardhmja fiskale e vendit përkon me ringjalljen e shqetësimeve rreth krijimit të ngadaltë të vendeve të punës, që mund të jetë një paralajmërim i dobësimit të rimëkëmbjes së dobët ekonomike të Amerikës. Presidenti Obama synon të ulë deficitin dhe të nxisë zhvillimin ekonomik.

“Për vite me radhë, në Uashington është bërë argumenti që të zgjidhet mes uljes së deficiteve me çdo kusht dhe investimeve, të nevojshme për të zhvilluar ekonominë. Buxheti im i jep zgjidhje këtij argumenti, sepse ne nuk kemi nevojë të zgjedhim mes këtyre dy objektivave, ne mund t’i realizojmë të dyja”.

Presidenti Obama thotë se buxheti i tij do të shkurtojë shpenzimet si dhe do të anulojë disa përfitime nga taksat për korporatat, ndërkohë që shtohen fondet për infrastrukturën dhe arsimin.

Republikanët e kanë kundërshtuar tashmë këtë propozim. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner thotë se buxheti i presidentit “nuk balancohet kurrë”. Ish senatori republikan, Sam Brownback thotë se sektori privat është kyç i një situate më të mirë ekonomike dhe fiskale.

“Mesazhi ynë republikan mbështetet tek fuqia e popullit dhe jo kontrolli i qeverisë. Kjo shpalos krijimtarinë e sipërmarrësve si dhe fuqinë e shpresës dhe të ëndrrave”.

Beteja e buxhetit zhvillohet një muaj pas hyrjes në fuqi të shpenzimeve automatike federale, të cilat mund të kenë kontribuar në dobësimin e tregut të punës. Ekonomia amerikane krijoi më pak se 100 mijë vende pune muajin e kaluar.

“Ne kemi dëgjuar nga disa kompani se ligji për shkurtimet automatike të shpenzimeve ka ndikuar tek vendimet e tyre për marrjen në punë. Shpenzimet qeveritare janë shkurtuar si pasojë e këtij ligji dhe kjo do të ndikojë tek ekonomia në të ardhmen”.

Republikanët e akuzojnë Shtëpinë e Bardhë për ekzagjerimin e ndikimit të shkurtimit të shpenzimeve federale.

Deficiti i Shteteve të Bashkuara për këtë vit parashikohet të jetë 900 miliardë dollarë. Në Kongres, Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane dhe Senati me shumicë demokrate, kanë miratuar buxhete dhe asnjëra dhomë nuk ka të ngjarë të miratojë buxhetin e palës tjetër.

Në mungesë të një kompromisi ndërpartiak, e ashtuquajtura "marrëveshja e madhe", ligji për shkurtimet automatike të shpenzimeve federale do të mbetet në fuqi, ndërkohë që deficiti do të mbetet në nivele që konsiderohen të papërballueshme nga shumica e ekonomistëve.