Bashkitë në jug të Shqipërisë janë bashkuar për të kundërshtuar planet e qeverisë shqiptare për ndërtimin e Hidrocentraleve në Luginën e Lumit “Vjosa”. Përmes një letre të hapur, drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Parlamentit Ilir Meta, 5 Bashkitë Përmet, Tepelenë, Memaliaj, Mallakastër dhe Selenicëkanë shprehur shqetësimin e komuniteteve që përfaqësojnë dhe i kërkojnë qeverisë qëndrore “të ri-mendojë planet e HEC-eve në lumin Vjosa dhe degët e tij”.
“Të ndërmerren edhe nisma për pezullimin e kontratave koncesionare dhe të garantohet pjesëmarrja e komunitetit në vendim-marrjet”, thuhet nëreagimin e drejtuesve të pesë bashkive drejtuar qeverisë shqiptare.
Letra e drejtuesve të Bashkive vlerëson gjithashtu se Qeveria shqiptare duhet t`i kërkojë transparencë autoriteteve greke për marrëveshjet ndërshtetërore për lumenjtë. Kjo kërkesë lidhet me planet greke për të devijuar sasi të mëdha uji nga rrjedha e Lumit “Vjosa” në anën greke, drejt Liqenit të Janinës.
Letra e drejtuesve të Bashkive vjen pas një Rezolute të Parlamentit Europian për Shqipërinë e cila shprehu shqetësim mbi politikën energjetike të ndjekur nga qeveria shqiptare për ndërtimin e hidrocentraleve. “Vlerësimi i ndikimit mjedisor të hidrocentraleve shpesh herë nuk bëhet siç duhet dhe në përputhje me standardet Evropiane dhe legjislacionin e BE”, thuhet në Rezolutë.
“Qeveria shqiptare këshillohet të konsiderojë krijimin e Parkut Kombëtar të Vjosës në të gjithë gjatësinë e saj dhe të braktisë planet për ndërtimin e hidrocentraleve të reja në lumin e Vjosës dhe degët e saj”, shprehet më tej Rezoluta. Lumi Vjosa shihet nga organizatat mjedisore, studiuesit dhe specialistët e mjedisit si një ndër lumenjtë e fundit të egër në Europë.
Në nëntor të vitit të shkuar Ministria e Energjisë njoftoi dhënien e lejes për ndërtimin e hidrocentralit të Pocemit dhe nënshkrimin e kontratës me një kompani turke, ndërkohë që cështja po trajtohet në gjykatën Administrative të Tiranës pas një padie të bërë nga komuniteti i banorëve dhe organizatat mjedisore.