Yjet që humbëm gjatë vitit 2017

Disa prej tyre na bënë të vallëzojmë, na mbushën zemrat me muzikë, apo na bënë të ëndërrojmë përmes filmave. Megjithëse nuk gjenden më mes nesh, puna e tyre ka prekur shumë njerëz. Ndër ta radhiten ikona të muzikës amerikane dhe franceze, si Chuck Berry dhe Johnny Hallyday, si dhe ylli i televizionit amerikan Mary Tyler Moore, apo aktivisti kinez i të drejtave të njeriut Liu Xiabao. Ndiqni në vazhdim një përmbledhje të njerëzve të famshëm që humbëm gjatë vitit 2017.

Mijëra njerëz i dhanë lamtumirën yllit më të madh rrokut francez, Johnny Hallyday, ndër ta edhe Presidenti Emmanuel Macron.

Në fjalimin e tij ai u shpreh se Hallyday ishte shumë më tepër se një këngëtar. “Ai ishte vetë jeta, me dritë dhe bujari”.

Në Amerikë, ikona të muzikës, si Tom Petty dhe Chuck Berry, mahnitën me këngët e tyre.

Në vitin 2002, Tom Petty dhe grupi i tij u radhitën në Hollin e Famës së muzikës Rock & Roll.

“Falenderoj mbështetësit për një jetë të mrekullueshme dhe i jam mirënjohës Zotit. Faleminderit shumë dhe Zoti ju bekoftë”, u shpreh atëherë Tom Petty.

Chuck Berry ishte një prej muzikantëve më me influencë në Amerikë. Këngëtar, kantautor dhe kitarist, ai ishte një pioner i muzikës rock ‘n’ roll.

Ai kompozoi hite muzikore si “Johnny B. Goode”, “Roll Over Beethoven” dhe “Sweet Little Sixteen”, që janë shndërruar në disa prej këngëve të përjetshme të shekullit të 20-të.

Bota humbi edhe Liu Xiaobon, kritik i letërsisë kineze, shkrimtar, aktivist i të drejtave të njeriut dhe laureat i Çmimit Nobel të Paqes, i cili pati bërë thirrje për reforma politike. Në vitin 2009, ai u arrestua dhe akuzua për aktivitete me synim rrëzimin e qeverisë kineze, dhe u dënua me 11 vite burgim.

Diplomati polako-amerikan, Zbigniew Brzezinski, si ish-këshilltar i sigurisë kombëtare i Presidentit Jimmy Carter, ndihmoi në shembjen e barrierave ekonomike mes Perëndimit, Bashkimit Sovjetik dhe Kinës.

“Do jetë një kohë gjatë së cilës duhet të japim më të mirën. Jo vetëm intelektualisht, por edhe moralisht. Zotohem të jap gjithçka mundem në të dyja këto dimensione”, deklaronte zoti Brzezinski.

Hugh Hefner, ish-themeluesi në të 80-tat i revistës “Playboy”, njihej për pizhamet e tij të mëndafshta dhe kopertinat me femra të bukura.

Në vitin 2015-të, revista njoftoi se nuk do të paraqiste më femra krejtësisht nudo, një ndryshim i madh për revistën që zoti Hefner pati themeluar në vitin 1953.

Edhe komedia humbi ikona të saj, si Don Rickles, i mirënjohur si “zoti Ngrohtësia”, apo Dick Gregory, një legjendë e komedisë dhe aktivist i të drejtave të njeriut.

Ndër yjet e tjerë që humbëm gjatë vitit 2017 ishin aktorja televizive Mary Tyler Moore, si dhe një ndër 007-tët më mirë, Roger Moore.