Vëzhguesit: Zgjedhjet të qeta, por me parregullsi

Vëzhguesit: Zgjedhjet të qeta, por me parregullsi

Partitë politike në Kosovë kanë ngritur një varg shqetësimesh për parregullsi në zgjedhjet e djeshme parlamentare. Ankesat kryesore të partive kanë të bëjnë me votimet në dy komunat e rajonit të Drenicës, Drenas dhe Skënderaj, që tradicionalisht njihen si mbështetëse të Partisë Demokratike të Kosovës.

Shqetësimin e tyre për parregullsitë posaçërisht në këto dy komuna i kanë shprehur edhe vëzhguesit e parlamentit Evropian dhe të Rrjetit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve ENEMO. Raportuesja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek tha se është në duart e institucioneve që të dëshmojnë transparencë lidhur me këtë rast dhe parregullsitë e tjera të shfaqura gjatë këtyre zgjedhjeve.

Presim që të ndiqen procedurat dhe ankesat të merren seriozisht dhe Paneli i ankesave të vendosë për zhvillimet e mëtejme. Ne presim transparencë”, tha zonja Lunacek e mbështetur nga eurodeputetja Doris Pack e cila kërkoi edhe veprime ndaj atyre që kanë lejuar parregullsitë dhe siç tha “dënimin e tyre nëse është e nevojshme”.

Ndërsa Jelko Kacin, anëtar i delegacionit të vëzhguesve të Parlamentit Evropian tha se parregullsitë po trashëgohen nga e kaluara.

Fatkeqësisht gjerat e tilla kanë ndodhur edhe një vit më parë, por fatkeqësisht autorët nuk janë ndjekur. Ky është dështim i shtetit ligjor të Kosovës dhe dëmet anësore janë sërish të dukshme”, tha eurodeputeti Kacin duke bërë thirrje për veprime që do të shmangnin problemet e tilla në të ardhmen.

Ndërsa Zlatko Vujoviç nga Rrjeti evropian i vëzhguesve tha se partitë politike duhet të ndjekin rrugën ligjore për shqyrtimin e ankesave të tyre.

Ne u bëjmë thirrje autoriteteve që të shfrytëzojnë mjetet ligjore jo vetëm për vendime administrative siç është rinumërimi, por edhe por po ashtu për të shfrytëzuar gjithë mundësitë ligjore për të vënë autorët pra drejtësisë për të siguruar vendosjen e sundimit të ligjit”, tha ai.

Por, me gjithë problemet e shfaqura vëzhguesit thanë se dita e zgjedhjeve, përgjithësisht e organizuar mirë, me një numër të mirë votuesish, është inkurajues për zhvillimin e vazhdueshëm demokratik të Kosovës.

Dy komuna me mashtrime të qarta nuk mund të vënë në hije tërë procesin”, tha eurodeputetja Doris Pack sipas së cilës procesi është zhvilluar në një atmosferë të qetë.

Anëtarët e delegacionit nënvizuan pjesëmarrjen e rritur të komunitetit Serb të Kosovës si shenjë e angazhimit të mëtejmë ne institucionet e vendit. Por ata shprehën keqardhjen për faktin se serbët në veriun e Kosovës refuzuan të shfrytëzojnë mundësinë të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike.