Vetëvrasjet dhe kriza ekonomike në Evropë

  • Selah Henesi

Vetëvrasjet dhe kriza ekonomike në Evropë

Një numër vendesh evropiane po përjetojnë krizë ekonomike dhe studjuesit kanë arritur në përfundimin se kriza ka ndikuar në shtimin e numrit të vetëvrasjeve, sidomos në vendet më të prekura prej saj. Sipas një studimi të publikuar ditët e fundit, numri i vetëvrasjeve në Greqi është rritur me 15 për qind në vitet 2007-2009. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Sarah Hennessy njofton nga Londra:

Studimet e publikuara ditët e fundit tregojnë se ritmi i vetëvrasjeve në mbarë Evropën është në rritje. Sipas studimit të publikuar në gazetën mjekësore “The Lancet”, Greqia është vendi me rritjen më të madhe.
Pavlos Tsimas është gazetar në Greqi. Kohët e fundit ai bëri një film dokumentar, ku përshkruan këtë prirje. Ai intervistoi familjarë që kishin humbur të dashurit e tyre dhe i tregoi Zërit të Amerikës historitë e disa prej tyre.

“Hetuam rastin e një pronari të vogël biznesi nga Herakleion i Kretës, i cili mori makinën e tij, e ngarkoi me bombola nafte dhe fillimisht e qëlloi veten me armë, pastaj i vuri zjarrin makinës. Asgjë nuk u gjet prej tij, trupi u dogj plotësisht, pa lënë gjurmë".

Greqia po vuan koston e një deficiti të madh buxhetor. Për më tepër se një vit, qeveria ka shkurtuar shpenzimet dhe ka rritur së tepërmi taksat, në përpjekje për të rimëkëmbur financat. Shumë thonë se ekonomia greke ka shpëtuar nga falimenimi. Por kriza ka patur një ndikim shkatërrimtar tek shumë grekë. Sot, një në 6 grekë është i papunë. Gazetari Pavlos Tsimas thotë se biznesmeni që i vuri flakën makinës së tij nuk është i vetmi që kërkoi të gjente zgjidhje në mënyrë kaq dramatike.

“Kemi gjetur njerëz që e kanë vrarë veten në mënyrë tepër dramatike dhe nganjëherë edhe të dhunshme, që ndoshta do të thotë se ata janë përpjekur ta shndërrojnë vetëvrasjen e tyre në një deklaratë, përmes së cilës duan t’i tregojnë të gjithë botës se sa keq janë ndjerë, sa pafat dhe sa pa shpresë kanë qenë”.

Ai thotë se në Greqi, shumica e personave që kryejnë vetëvrasje janë burra dhe shton se numri i vetëvrasjeve është rritur shumë, sidomos në ishullin e Kretës. Ai thotë se arsyet janë komplekse. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me varfërinë, apo papunësinë, thotë Pavlos, por me dinjitetin dhe respektin për veten.

“Mendoj se një nga arsyet përse vetëvrasjet ndodhin më tepër në Kretë kanë të bëjnë kryesisht me faktin se atje jeta në familje është më tradicionale, më patriarkale. Babai duhet të jetë një figurë e respektuar, me forcë të madhe. Dhe kur shtohen problemet ekonomike, kur burrat humbin vendet e punës, ose kur mbyllin biznesin, ata dëshpërohen shumë, për shkak të mungesës së respektit, të besimit në vetvete dhe ndjejnë se jeta nuk ka më kuptim për ta. Pikërisht kjo ndjenjë i bën ata t’i japing fund jetës”.

Greqia nuk është i vetmi vend ku është rritur numri i vetëvrasjeve. Studimi ju referua statistitikave të 10 vendeve evropiane nga viti 2007 deri në 2009 dhe arrin në përfundimin se ndërsa më parë numri i vetëvrasjeve në Evropë kishte rënë, që nga fillimi i krizës në sistemin financiar, ky fenomen është shtuar.

Në 9 nga 10 vende evropiane numri i vetëvrasjeve është shtuar me 5 për qind. Në Irlandë, në tjetër vend me probleme ekonomike, numri i vetëvrasjeve është shtuar me 13 për qind. David Staker, sociolog në Universitetin e Kembrixhit në Britani, është bashkautor i raportit mbi vetëvrasjet në Evropë.

“Në shumicën e rasteve vendet e prekura më rëndë nga kriza kanë patur një rritje më të madhe të numrit të vetëvrasjeve. Irlanda, Spanja, vendet Balltike, kanë një rritje të numrit të vetëvrasjeve dhe disa vende më të prekura nga kriza, si Greqia, psh, kanë një rritje deri në 16 për qind”.

Studjuesi thotë se përpjekjet për vetëvrasje dhe depresioni po ashtu janë në rritje. Ai e quan këtë fenomen “kriza e shëndetit mendor”. Por ai shton se ka edhe lajme të mira në këtë fushë. Në vendet ku qeveritë kanë bërë përpjekje për të luftuar papunësinë, si Suedia dhe Finlanda, ritmi i vetëvrasjeve nuk ka shënuar rritje.

“Zbuluam se dhënia e ndihmave në para për njerëzit që kanë humbur punën nuk duket se ka ndihmuar në këtë aspekt. Përkundrazi t’i japësh njerëzve mundësinë të kenë arsye për t’u ngritur në mëngjes nga shtrati, pra një shpresë në kërkim të një jete më të mirë, një punë me kuptim, duket se i ka ndihmuar më tepër personat e prekur nga depresioni”.

Qeveritë e vendeve evropiane duhet ta dine mirë këtë, thotë studjuesi.