Amerika nderon veteranët e luftës

Presidenti Donald Trump nderoi të shtunën veteranët e vendit, duke thënë në një videomesazh se ata janë “thesari më i madh kombëtar i këtij vendi”.

"Në këtë ditë të mrekullueshme të Veteranëve, dua të shpreh mirënjohjen e madhe të të gjithë kombit amerikan për miliona e miliona veteranë që kanë mbrojtur vendin tonë dhe familjet e tyre të guximshme, mbështetja e të cilëve ju ka dhënë juve mundësinë që t’i përgjigjeni thirrjes së detyrës”, tha zoti Trump në një video që u postua në Twitter.

Komentet e Presidentit u bënë publike, ndërsa ishte në turneun e tij aziatik.

Nënpresidenti Mike Pence mori pjesë në një ceremoni ku u vunë kurora në Varrezën Kombëtare të Arlingtonit në jug të Uashingtonit për të nderuar 20 milionë veteranët e ushtrisë.

Pjesëtarët e ushtrisë nderohen çdo vit më 11 nëntor në Ditën e Veteranëve, përvjetori i fundit të Luftës së Parë Botërore. Kjo ditë u shpall për herë të parë nga Presidenti Woodrow Wilson në vitin 1919 si Dita e Aermëpushimit dhe u bë festë federale në vitin 1938. Presidenti Dwight Eisenhower nënshkroi një ligj në vitin 1954 që e kthente Ditën e Armëpushimit në Ditën e Veteranëve, që të nderonte të gjithë veteranët.