Veseli: Të përmbyllen çështjet e hapura me Serbinë

  • Leonat Shehu

Your browser doesn’t support HTML5

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, bëri thirrje të martën që partitë politike të bashkohen përballë bisedimeve me Serbinë, në mënyrë që kjo çështje të përmbyllet sa më shpejt.

Ai i bëri këto thirrje gjatë një vizite në qytetin e Kaçanikut, rreth 60 kilometra në jug të Prishtinës, në një kohë kur bisedimet vazhdojnë të mbeten të pezulluara tash e pesë muaj për shkak të rritjes së tensioneve ndërmjet Kosovës e Serbisë pas vendosjes së tarifave nga ana e Prishtinës zyrtare ndaj mallrave që vijnë nga Serbia.

Kryetari i parlamentit, Kadri Veseli, tha se çështjet e hapura me Serbinë duhet të përfundohen në mënyrë që të hapet ardhmëria evropiane për vendin.

Unë besoj që do të bëhemi bashkërisht, pushteti dhe opozita që t’i lëmë inatet mes vete dhe të drejtohemi drejtpërdrejt që të përfundojmë çështjen me Serbinë. Kosova është shtet i pavarur e sovran dhe nuk ka asnjë dilemë dhe ne po flasim vetëm për raportet Kosovë-Serbi drejt Bashkimit Evropian, por në çështjen e së ardhmes së Kosovës, ne as që do të hapim diskutim për atë çështje për vet faktin se territori dhe institucionet janë një e të pandashme dhe janë të qytetarëve të Kosovës të cilët janë shumicë shqiptare me rreth 92 apo 93 për qind”, tha ai.

Zoti Veseli tha se Kosova nuk do të bëj gabime me serbët ashtu siç tha ai, janë bërë në të kaluarën ndaj shqiptarëve.

Tash për tash nuk ka ndonjë shenjë se kur mund të vazhdojnë bisedimet për shkak të tensioneve ndërmjet të dyja palëve, ndërsa diplomacia perëndimore është vënë në përpjekje për të siguruar një rrugë që do të mund të afronte të dyja palët drejt tryezës së bisedimeve dhe arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Beogradi po kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha të martën se do të presë deri më 6 maj nëse Kosova do të heqë tarifat dhe pas asaj date do të vendosë për kundërmasat ndaj Prishtinës.

Po ashtu pas asaj date do të vendosë nëse do ta çojë vendin e tij në zgjedhje të reja. Vendimet, tha ai, do të pasojnë edhe takimet me presidentin rus, Vladimir Putin, me të cilin shpreson të diskutojë në Kinë si dhe takimet me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjermane, Angela Merkel, të cilët më 29 prill organizojnë një takim të vendeve të Ballkanit, që do të shënojë edhe rastin e parë të takimit të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë që nga nëntori i vitit të kaluar.