Misioni i Bashkimit Evropian për Policinë dhe drejtësinë, bëri të ditur se një trup gjykues i përbërë nga dy gjykatës vendas dhe një të EULEX-it, vërtetoi dënimin e zoti Daci për shpërdorim të detyrës si dhe dënimin e ish këshilltarit të tij Ahmet Alishani, për ndihmë në shpërdorim të detyrës.
Në muajin nëntor të vitit 2010, një gjykatë në Prishtinë e shpalli fajtor dhe e dënoi kryetarin e Lidhjes Demokratike të Dardanisë Nexhat Daci me 1 vjet e gjysmë heqje lirie me kusht për dy vjet, për siç thuhet keqpërdorimin e buxhetit të Parlamentit të Kosovës duke blerë syze dhe duke rregulluar dhëmbët me paratë e buxhetit të Kosovës në periudhën kur ishte kryetar i Parlamentit.
Gjykata dënoi po ashtu ish këshilltarin e tij, Ahmet Alishani me gjashtë muaj heqje lirie, për shkak se siç thuhet kishte ndihmuar zotin Daci në kryerjen e veprës së tij.
Sipas vendimit të atëhershëm të gjykatës, zoti Daci, nuk do të kishte të drejtë të ushtrojë asnjë funksion publik për dy vjet me radhë. Ky vendim është anuluar nga Gjykata e lartë e cila ka urdhëruar të pandehurit që bashkërisht t’ia kompensojnë Parlamentit shumën prej 1 mijë e 540 Eurosh, për dëmin e shkaktuar me këto vepra penale.
Zoti Daci i cili ishte kryetar i Parlamentit nga vitit 2001 deri në vitin 2006, e kishte cilësuar procesin gjyqësor ndaj tij si të motivuar politikisht.