Vepra dhe jeta e Sterjo Spasses nderohen në Bibliotekën e Kongresit amerikan

  • Keida Kostreci

Një veprimtari në Bibliotekën e Kongresit në Uashington ditët e fundit kushtuar shkrimtarit të njohur Sterjo Spasse, u kthye në një udhëtim në kohë, me ndalesa në periudhat e rëndësishme të jetës dhe veprës së njeriut të shquar të letrave. Pjesëmarrës nga komuniteti shqiptaro-amerikan, maqedonas-amerikan dhe studiues morën pjesë në aktivitetin që bashkoi kujtime familjare dhe analiza letrare për Sterjo Spassen.

Sterjo Spasse u shfaq në shumë forma në Bibliotekën e Kongresit. Për Arian Spassen, ai nuk ishte thjesht shkrimtari i njohur, por gjyshi që i mungon. Ai thotë se ishte 18 vjeç kur Sterjo Spasse vdiq, moshë e mjaftueshme për të mbajtur mend fytyën e tij, zërin e tij, buzëqeshjen e tij, komentet e tij, por jo për t’i bërë të gjitha pyetjet që do të donte.

“Më vjen keq që Sterjo Spasse u largua nga kjo jetë kur unë ende nuk isha i pjekur plotësisht. Pavarësisht se isha 18 vjeçar, nuk isha në gjendje të bëja një diskutim për së mbari. Nuk isha i pjekur plotësisht për të shfrytëzuar bagazhin dhe eksperiencën e tij jetësore. Ky është një nga pengjet që më ka ngelur”.

Zoti Spasse që është në përfundim të detyrës si këshilltar në Ambasadën shqiptare në Uashington, e quan shkrimtarin shqiptar me origjinë maqedonase “njeriun që shkruajti për të edukuar dhe për të kënaqur breza të tërë shqiptarësh, pa harruar rrënjët e tij”.

Shkrimtari Naum Prifti foli për veprën e shkrimtarit që ai e konsideron mësuesin dhe edukatorin e tij. Ai tha se nga shkrimtari Spasse kishte mësuar se mund të kishte libra edhe me personazhe shqiptare:

“Kur lexova romanin e tij ‘Afërdita’ dhe ndesha përshkrimin për xha Koroveshin tek rrinte pranë oxhakut me katruven e ujit pranë dhe me çibukun në gojë, u mrekullova!”

Ai kujton se si e njohu shkrimtarin në Tiranë, se si jeta e tij ishte një kombinim i letësisë dhe momenteve mes miqve, një përzierje e prejardhjes maqedonase dhe ekzistencës shqiptare.

Romani “Nga jeta në jetë – Pse!?”, që njohet më shumë me titullin e shkurtër “Pse” konsiderohet kryevepra e Sterjo Spasses, megjithëse u shkrua në vitet e para të krijimtarisë së tij. Më pas ai shkroi libra me tregime dhe romane të tjera si “Nusja pa Duvak”, “Të fala nga fshati”, “Ata nuk ishin vetëm”, “Buzë liqenit”, etj.

“Brenda një periudhe të shkurtër dhjetë vjeçare 1972-1983, shpërtheu energjia krijuese e Sterjo Spasses, duke botuar njërin pas tjetrit pesë romane mjaft voluminozë, ku shkriu kujtimet e fëmijërisë, rrëfimet e më të moshuarve, tok me ato që akumuloi nga historia”, thotë zoti Prifti.

Ai u referohet librave si “Zjarre”, “Zgjimi”, “Pishtarë”, “Ja vdekje, ja liri” dhe “Kryengritësit”. Zoti Prifti thotë se ky cikël e vendosi Sterjo Spassen në radhën e parë të autorëve që iu kushtuan temës së Rilindasve me mish e me shpirt në kohën që Shqipëria qe krejt e vetmuar në arenën ndërkombëtare dhe përpiqej të jetonte me forcat e veta.

Aktiviteti për veprën e Sterjo Spasses u mbajt në Bibliotekën e Kongresit, një institucion me peshë kulturore, në një godinë të rëndë, dinjitoze, disa hapa larg Kongresit Amerikan që mbart vëllime të panumërta librash në të gjitha gjuhët e botës.

“Kush do ta mendonte 23 vjet më parë që pikërisht në Shtetet e Bashkuara, pikërisht në Librarinë e Kongresit do të flitej për Sterjo Spassen. Por kohët ndryshojnë dhe njerëzit ndryshojnë kështuqë çdo gjë është e mundur. Mjafton vullneti i mirë”, thotë Arian Spasse.

Aktiviteti u organizua nga sektori i gjuhës shqipe i Divizionit Evropian të Bibliotekës, në bashkëpunim me Organizatën Kombëtare Shqiptaro-Amerikane, dega e Uashingtonit dhe me organizatën Diaspora e Bashkuar Maqedonase, gjë që është edhe homazh i rolit të shkrimtarit si urë mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

“Me punën dhe talentin e tij Sterjo Spasseja ka vendin e tij të merituar në letërsinë shqipe dhe ndërkohë mbetet një nga farkëtuesit e lidhjeve tradicionale shqiptare-maqedonase”, thotë zoti Prifti.

Në librin “Kuvendim me nipin: Letra nipit tim Arian”, shkrimtari shkruante se në venat e tij rrjedh gjak maqedonas , por shpirti i tij, intelekti i tij janë shqiptar. Për Arian Spassen ky aktivitet vjen në kohën e duhur, pasi siç thotë ai shqiptarët dhe maqedonasit historikisht kanë ndarë vlera të aspektit kulturor dhe shpirtëror.

“Vepra e Sterjo Spasses është një nga këto vlera”, thotë ai.

Sterjo Spasse u lind në Gollomboç të Komunës së Liqenasit, në rrethin e Korçës në vitin 1914. Ai vdiq në vitin 1989. Duke iu drejtuar të pranishmëve, zoti Spasse tha se shpresonte që shpirti i gjyshit të tij të ishte i pranishëm. Por beson ose jo në pavdekësinë e shpirtit, ishte e qartë se Sterjo Spasse, ishte i pranishëm në sallën e Bibliotekës së Kongresit: me librat e shkruar prej tij, me kujtimet e bashkëkohasve, me respektin dhe kuriozitetin e atyre që ndoshta nuk njohin ende, qofshin shqiptarë, maqedonas apo amerikanë, dhe me pasardhësit që me krenari mbajnë mbiemrin e njërit prej mjeshtërve të letrave shqipe.