Vendimet e Gjykatës së Lartë për taksat e Presidentit Trump

UASHINGTON - Në vazhdën e vendimeve të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara mbi refuzimin e Presidentit Donald Trump për të publikuar të dhënat e tij financiare, po zhvillohet një debat nëse vendimet përfaqësojnë një fitore apo humbje për Presidentin Trump.

Vendimet e së enjtes sigurojnë që deklaratat e taksave të Presidentit Trump dhe të dhënat e tjera të mbrojtura me kujdes, nuk do të bëhen publike - pra dhe nuk do të përdoren nga rivalët e tij politikë - përpara zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.

Por vendimet e Gjykatës së Lartë gjithashtu rezultojnë në një kundërshtim të pretendimit të hershëm të Presidentit Trump për imunitet nga fletëthirrjet për të dhënat e tij personale, si dhe kundër pikëpamjeve të tij për zgjerim të autoritetit presidencial.

Në vazhdim radhiten tre aspektet kryesore nga vendimet e gjykatës, të marra me 7 vota pro dhe 2 kundër.

Askush nuk është mbi ligjin

Në çështjen e parë, të njohur si "Trump kundër Vance", Gjykata e Lartë konfirmoi në thelb një parim të vjetër se askush, madje edhe presidenti, nuk ka imunitet ndaj një procesi penal.

Çështja kishte të bënte me një fletëporosi të lëshuar nga Prokurori i Qarkut në Manhattan, Cyrus Vance, për tetë vite të dhënash financiare të zotit Trump, një multi-miliarder dhe ish-manjat i pasurive të patundshme në Nju Jork. Zoti Vance po mbikqyr hetimin e një jurie të madhe për marrëdhëniet e biznesit të zotit Trump, si dhe nëse "Organizata Trump" falsifikoi të dhënat e biznesit për të fshehur pagesat në këmbim të heshtjes së dy grave që pretendonin se kishin patur marrëdhënie me zotin Trump vite më parë - deklarata që presidenti i ka mohuar.

Fletëporosia e prokurorit Vance shënoi herën e parë që një prokuror vendor ka lëshuar një kërkesë për dokumentat personale të një presidenti në detyrë.

Juristët e Presidentit Trump shkuan në gjykatë për të bllokuar ekzekutimin e fletëporosisë. Duke pretenduar se Presidenti Trump gëzonte "imunitet absolut" nga hetimet penale të prokurorëve lokalë, ata argumentuan se zbatimi i fletëporosisë do ta trazonte dhe shpërqëndronte atë nga detyrat e tij dhe do të dëmtonte reputacionin e tij.

Por Kryetari i Gjykatës së Lartë, John Roberts, duke përmendur precedentë përgjatë 200 viteve, e refuzoi këtë pretendim.

"Në sistemin tonë gjyqësor, publiku ka të drejtën (e qasjes) tek evidenca e gjithsecilit", shkruajti Gjykatësi Roberts në emër të gjykatës, duke përmendur një parim të vjetër.

Gjykatësi Roberts gjithashtu hodhi poshtë pretendimin se një standard më i lartë është i nevojshëm kur bëhet fjalë për presidentin. Por ai tha se presidenti, si çdo qytetar tjetër, ka të drejtën ta kundërshtojë fletëthirrjen në gjykatë.

Paul J. Larkin, një ish-zyrtar i Departamentit të Drejtësisë i cili tani është një bashkëpunëtor i lartë për kërkime juridike në Fondacionin Konservator të Trashëgimisë, tha se vendimi është një "riafirmim i llogaridhënies presidenciale".

"Ajo që ata thanë ishte se ky ka qenë gjithmonë rregulli në lidhje me çështjet federale, dhe ne nuk shohim një arsye që një rregull tjetër të zbatohet vetëm sepse është një çështje që vjen nga shtetet", tha Larkin.

Fuqia e fletëthirrjeve të Kongresit nuk është e pakufizuar

Në rastin e dytë, i njohur si "Trump kundër Mazars", gjykata mori një pozicion të mesëm, duke vendosur se ndërsa Kongresi e ka fuqinë për t'i dërguar fletëthirrje presidentit, ky autoritet nuk është "i pakufishëm".

Në diskutim në këtë rast ishin katër fletëthirrje të lëshuara vitin e kaluar nga tre komisione të Dhomës së Përfaqësuesve për të dhënat financiare të Presidentit Trump. Komisionet pretenduan se informacioni ishte i nevojshëm si pjesë e hetimeve të tyre për Presidentin Trump dhe përpjekjeve për të hartuar legjislacion të ri.

Gjykata e Lartë ka njohur prej kohësh autoritetin kushtetues të Kongresit për të lëshuar fletëthirrje. Sidoqoftë, ajo kurrë më parë nuk ishte futur në një mosmarrëveshje midis Kongresit dhe degës ekzekutive për një kërkesë për deklaratat personale të presidentit dhe regjistrimet.

Këtu gjyqtarët ndërthurën nevojën e Kongresit për të hetuar dhe interesave të degës ekzekutive. Ndërsa riafirmuan fuqinë hetimore të Kongresit, ata thanë se të katërta fletëthirrjet rrezikuan "ndarjen e parimeve të pushteteve në fjalë, përfshirë edhe interesat e rëndësishme legjislative të Kongresit dhe 'pozicionin unik' të Presidentit".

Për të zgjidhur këto çështje, gjykata e lartë kërkoi që gjykatat e shkallëve më të ulëta të konsiderojnë të paktën katër faktorë në peshimin e vlefshmërisë së një fletëthirrjeje, duke u siguruar ndër të tjera se kërkesa për dokumenta nuk është "më e gjerë se ç'është e nevojshme" dhe se nuk imponon "barrë" të panevojshme mbi presidentin.

"Mënyra si e mendoj unë është se, Kongresi nuk mund të thotë thjesht se,
'Ne po kalojmë një legjislacion' ose 'Ne po mendojmë për një legjislacion'. Ata duhet të thonë më shumë", tha Sai Prakash, profesor i drejtësisë në Universitetin e Virxhinias.

Çfarë hapash do të ndërmerren tani?

Mosmarrëveshjet do të rikthehen në gjykatat e niveleve më të ulëta në Nju Jork dhe Uashington, D.C. Rezultati është i pasigurt, dhe nuk dihet se çfarë forme do të marrë një vendim i formës së prerë. Presidenti Trump mund të fitojë në të dyja çështjet nëse avokatët e tij ngrenë argumenta të suksesshme kundër fletëporosisë së prokurorit Vance dhe arrijnë t'i zmbrapsin përpjekjet e Dhomës së Përfaqësuesve në çështjen e ngritur nga Kongresi. Nga ana tjetër, juristët e Dhomës së Përfaqësuesve mund të arrijnë miratimin e një ose më shumë nga fletëthirrjet e tyre, pasi t'i ripunojnë për të përmbushur kriteret e përcaktuara nga Gjykata e Lartë.

Gjithashtu, të dyja palët mund të angazhohen në negociata për të arritur një kompromis. Kjo do të ishte preferenca e gjykatës, duke pasur parasysh tendecën e gjyqtarëve për të qëndruar larg mosmarrëveshjeve politike midis Kongresit dhe presidentit.