Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri si dhe revista ekonomike Monitor zhvilluan sot në Tiranë një konferencë mbi sfidat dhe mundësitë e kryeqytetit shqiptar, ku folën kandidatët për kryetarë bashkie.
Konferenca u drejtua nga korrespondenti i Zërit të Amerikës në Tiranë, Armand Mero.
Your browser doesn’t support HTML5
Ai trajtoi me të gjithë kandidatët një seri temash ekonomike, që vuan sot kryeqyteti, si papunësia, investimet e huaja, varfëria dhe krahu i lirë i punës dhe përmirësimi i infrastrukturës.
Kandidatët shpalosën njëri pas tjetrit pikëpamjet dhe planet e tyre për zhvillimin ekonomik të kryeqytetit dhe shtimin e investimeve publike e private.
Ashtu si edhe vite të mëparshme, kandidatët edhe këtë radhë nuk ranë dakord që të zhvillonin debate publike, ku të shkëmbenin pikëpamjet e tyre përballë njëri tjetrit.
Megjithatë në pushimin mes dy seancave të konferencës, kandidati i opozitës Halim Kosova dhe ai i qeverisë Erion Velija shtrënguan duart dhe shkëmbyen së paku disa përshëndetje dhe shprehje miqësore, para se të ndërronin vendet në podiumin e konferencës dhe të linin sallën, duke mos i dëgjuar drejtpërdrejt mendimet e njëri tjetrit.
Pasi mbaruan bisedat me konkurrentët e dy partive më të mëdha, në podiumin e konferencës u paraqitën edhe disa kandidatë nga Aleanca Ekologjike Europiane, Lëvizja për Vlera, Mirëqenie dhe Progres, si dhe nga partia kristian Demokrate.
Konferenca e sotme ishte vazhdim i traditës që ka krijuar Dhoma Amerikane e tregtisë, me ballafaqime të drejtuesve kryesorë të ekonomisë shqiptare me grupet e interesit.
Megjithëse pluralizmi shqiptar kaloi dy dekada dhe një mori palë zgjedhjesh, ende në Tiranë nuk zhvillohen debate midis kandidatëve as për zgjedhje vendore dhe as për zgjedhje të përgjithshme.