Ambasadori Dell: “SHBA mbështesin tërësinë tokësore të Kosovës”

  • Leonat Shehu

Ambasadori Dell: “SHBA mbështesin tërësinë tokësore të Kosovës”

Ambasadori amerikan në Prishtinë Kristopher Dell, tha sot se dhuna është e pa tolerueshme dhe bëri thirrje për shtendosjen e situatës në veriun e Kosovës.

Gjatë një vizitë në komunën e Gracanicës, një komunë më shumicë serbe në afërsi të Prishtinës, ai tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin tërësinë tokësore të Kosovës dhe pavarësinë e saj, ndërsa hodhi poshtë pohimet e presidentit serb Boris Tadic sipas të cilit, ambasadori Dell qëndron pas vendimit të qeverisë së Kosovës për vënien nën kontroll të vendkalimeve kufitare me Serbinë në veriun e banuar me shumicë serbe.

Ai tha se autoritetet në Beograd mund të kenë arsyet e tyre për vlerësime të tilla.

“Ma merr mendja se është më e lehtë për ta që të besojnë n ë rrëfimin e vjetër për fuqitë e mëdha se sa të kuptojnë se autoritetet në Kosovë kanë kapacitet dhe vullnet për të marrë vendimet e tyre. Do të jetë keqkuptim i rëndë të besohet se vendimet nuk janë marrë nga autoritetet vendase”, tha ambasadori Dell, duke nënvizuar se Serbia dhe Kosova duhet të mësojnë të jetojnë si fqinjë të mirë që e respektojnë njëri tjetrin dhe respektojnë vendimet e njëri tjetrit dhe të gjejnë rrugë për të punuar së bashku.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj Kosovës.

“Ne e mbështesim tërësinë tokësore të Kosovës, e mbështesim zgjerimin e sovranitetit të Kosovës, funksionimin e qeverisë së Kosovës gjithandej territorit, të një sistemi doganor dhe një sistemi të sundimit të ligjit në tërë Kosovën”, tha ambasadori Dell duke nënvizuar se ata që kanë kundërshtime të veprojnë në atë mënyrë që nuk nxisin tensionet por lejojnë të gjithë qytetarët e Kosovës pavarësisht përkatësisë etnike të gëzojnë të drejtat e njëjta dhe shërbimet e njëjta të qeverisë.

“Zgjidhja është që të mos ketë bllokada në rrugë, por që ato të hiqen dhe të rivendoset liria e lëvizjes në pajtim me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara”, tha ambasadori Dell duke nënvizuar se dhuna nuk është e pranueshme dhe ajo nuk mund të zgjidhë asnjë problem.

Ajo që nevojitet tani tha ai, është që njerëzit të qëndrojnë të qetën të ulen tensionet dhe t’u mundësohet institucioneve që të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme që do të lejojnë rikthimin tek bisedimet dhe gjetjen e zgjidhjeve për lëvizjen e lirë të mallrave në të dyja anët e kufijve.

Njësitë e posaçme të policisë së Kosovës, filluan më 25 korrik një operacion për vënien nën kontroll të dy vend kalimeve kufitare në veriun e banuar me shumicë serbe. Operacioni nxiti reagime të ashpra të banorëve serb të cilët ngritën barrikada në rrugët kryesore. Një pjesëtar i policisë u vra gjatë një sulmi mbi policinë në afërsi të Zubin Potokut një komunë me shumicë serbe ne veri.

Përfaqësuesit e Beogradit kërkojnë kthimin në gjendjen e mëparshme një kërkesë kjo që është kundërshtuar nga Prishtina zyrtare.

Operacioni i policisë nuk u mbështet nga zyrtarët e Bashkimit Evropian të cilët thanë se ai u ndërmor pa këshillime paraprake me ta, ndërsa bënë thirrje për rifillimin e bisedimeve ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë, të cilat qenë shtyrë për në muajin shtator.

Autoritetet e NATO-s thonë se tensionet në veri të Kosovës janë duke u zbutur, pas trazirave që mbërthyen atë pjesë që nga fillimi i javës së kaluar. Gjendja në atë zonë është diskutuar edhe në selinë e NATO-s, një ditë pas njoftimeve se trupa shtesë do t’u bashkohen forcave të KFOR-it në veri të Kosovës. Rreth 700 trupa shtesë, 550 prej të cilëve nga Gjermania, ndërsa 150 ushtarë të tjerë nga Austria, pritet të vendosën në Kosovë nga sonte e në ditët në vijim, thanë zyrtarë të KFOR-it.

Ata e vlerësuan relativisht të qetë gjendjen në veri duke shfaqur shpresën se bisedimet do të ndihmojnë uljen e tensioneve.