Guvernatori i shtetit Uiskonsin, republikani Skot Walker nuk ka pranuar të negociojë një projekt-ligj që do të eliminonte mundësinë e punonjësve të sektorit publik për të negociuar të drejtat e tyre përmes sindikatave. Projekt-buxheti i guvernatorit parashikon gjithashtu rritje të përfitimeve shëndetësore dhe të shumave që punonjësit qeveritarë në Uiskonsin depozitojnë në fondet e pensioneve. Dhjetëra mijëra vetë vazhdojnë të dynden drejt kryeqytetit të shtetit, Medison, për të protestuar. Zgjidhja që do t’i japë Uiskonsini situatës mund të shërbejë si model edhe për shtete të tjera me të njëjtat probleme.
Shiu i ngrirë dhe akulli nuk i pengoi mijëra protestuesit që po mblidheshin rreth selisë së organit legjislativ në Medison, ndërkohë që beteja për balancimin e buxhetit në Uiskonsin ka hyrë në javën e dytë.
Mësues shkollash, punonjës qeveritarë, biles edhe policë dhe zjarrfikës bashkuan zërat para selisë së organit legjislativ shtetëror në kundërshtim të masave të guvernatorit Skot Walker për t’u hequr punonjësve qeveritarë mundësinë për të negociuar si grup të drejtat e tyre.
“Kjo është kuota zero për vendin. Jemi në një pikë kritike dhe ajo që do të ndodhë këtu, do të pasqyrohet kudo tjetër”.
Mahlon Mitchell është president i shoqatës Zjarrëfikësit Profesionistë të Uiskonsinit. Ai pohon se zjarrëfikësit, së bashku me policët dhe punonjës të tjerë të sigurisë publike, përjashtohen nga masat shtrënguese në projekt-buxhetin e propozuar nga guvernatori. Por organizata e tij është kundër ndryshimeve në të drejtën që punonjësit qeveritarë të krijojnë sindikata:
“Nëse miratohet propozimi, u jep mundësi guvernatorëve të tjerë të luftojnë sindikatat”.
“Uiskonsini po përdoret si një program pilot,” thotë pedagogu i shkencave politike në Universitetin e Uiskonsinit, Denis Dresang. Ai thotë se rezultantja e betejës për buxhetin në Uiskonsin mund të ndikojë në të gjithë Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në shtete që kanë deficite kolosale buxhetore.
“Do të ketë ndikimin më të madh në ato shtete që kanë guvernatorë republikanë dhe ku republikanët kontrollojnë edhe dhomat e legjislaturës shtetërore. Për shembull, shteti Ohajo, i cili duket i prirur në këtë drejtim, apo Indiana dhe një numër shtetesh të tjera”.
Guvernatori i Nju Xhërsit, republikani Kris Kristi thotë se e mbështet zotin Walker. Ai vetë është në prag të një ballafaqimi me sindikatat, kur të paraqesë projekt-buxhetin.
Denis Dresang thotë se guvernatori Kristi dhe të tjerë mund të marrin zemër në përjekjet për të kufizuar sindikatat nga ato që ndodhin në Uiskonsin.
“Nëse guvernatori i Uiskonsinit ka sukses, do të marrin zemër edhe shtete të tjera. Por nëse dështon në Uiskonsin, shtetet e tjera mund të tregohen më të rezervuara dhe mund të mos zgjedhin alternativat më ekstreme në kufizimin e të drejtave të punonjësve për organizim në sindikata”.
Por numri në rritje i njerëzve që kanë shfaqur vendosmërinë për të duruar motin e acartë në Medison në mënyrë që të shprehin kundërshtimin e tyre, po ndikon edhe në shtete të tjera mendon zjarrfikësi Mitchell:
“Sapo mësuam se guvernatori i Miçiganit nuk ka në plan të hapë luftë me sindikatat, pas asaj që ka parë në Uiskonsin”.
Por duket se vetë Guvernatori Walker nuk ka hequr dorë nga beteja me sindikatat në përpjekje për të balancuar buxhetin. Uiskonsi ka një deficit prej 3.6 miliardë dollarësh për 2 vjetët e ardhshme.
“Projekt-buxheti që kemi propozuar është faktikisht angazhimi ynë për të ardhmen. Nëse dështojmë në këtë angazhim, do të duhet të ballafaqohemi me pasojat jo vetëm mbi ne, por edhe tek fëmijët tanë dhe fëmijët e tyre në të ardhmen”.
Ndërkohë që Guvernatori Walker nuk tërhiqet nga qëndrimi i tij, ligjvënësit demokratë nuk kanë pranuar të shkojnë në sesionet legjislative për ta hedhur në votë propozimin.
Ligjvënësit kanë nevojë për kuorum që të miratojnë projekt-buxhetin, gjë që kërkon të paktën praninë e një demokrati gjatë votimit në legjislaturën e kontrolluar nga republikanët.