Mijëra aktivistë të opozitës në Jemen u mblodhën në kryeqytetin Sana, në ditën e 5-të të protestave, me kërkesën për refoma politike dhe largimin nga pushteti të Presidentit Ali Abdullah Saleh.
Policia e Jemenit përdori shkopinjtë e gomës për shpërndarjen e rreth 3 mijë protestuesve, shumica e tyre studentë, të cilët marshuan sot nga Universiteti i Sanës drejt qendrës së qytetit. Disa nga aktivistët ju kundërpërgjigjën policisë duke hedhur gurë. Tre prej tyre u plagosën.
Protestuesit jemenas thërrisnin parrulla kundër presidentit, të ngjashme me ato që u hodhën në kryengritjet që detyruan largimin nga pushteti të udhëheqësve autoritarë në Egjipt dhe Tunizi. Po ashtu në Sana, u mblodh edhe një grup përkrahësish të Ali Abdullah Salehit, për t’iu kundërvënë portestuesve.