9 vatra zjarri në sipërfaqet pyjore në Veri të Shqipërisë

  • Pëllumb Sulo

Your browser doesn’t support HTML5

Prej më shumë se 4 javësh zjarret vazhdojnë të jenë aktive në mijëra hektarë sipërfaqe pyjore dhe kullota në Shqipëri. Ushtarë të shumtë të forcave të armatosura, të policisë, sistemit të mbrojtjes civile dhe shërbimit pyjor, të mbështetur edhe nga ajri, vazhojnë pa ndërpreje luftën për shuarjen e vatrave të zjarrit, të cilat gjatë kësaj jave janë përqendruar kryesisht në Veri të Shqipërisë, ku gjenden edhe sipërfaqet më të mëdha pyjore të Shqipërisë. Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se në këtë zonë janë aktive 9 vatra zjarri.

Në Kukës, Mirditë, Pukë, Fushë-Arrës. Malësi e Madhe dhe Shkodër situata vazhdon të jetë problematike, ndërsa vatrat e zjarrit djegin me qindra hektarë pyje dhe kullota. Sipas emergjencave civile, situata vazhdon të jetë e rënduar në Thirrë dhe Katund i Vjetër të Mirditës, në Majën e Rrunës në Kukës, në Qershizë e Fushë Kumulli të Pukës, në fshatin Flet dhe Srriqë të Fushë- Arrësit, por edhe në Vorfë të Malësisë së Madhe, ku zjarri i është drejtuar Malit të Maranajt.

Drejtuesi i Federatës së Pyjeve për Qarkun e Shkodrës, Sokol Guri, thotë se situata është e rëndë dhe se dëmtimi i sipërfaqeve pyjore është një problem edhe për brezat e ardhëshëm. Njësitë e qeverisjes vendore, thotë ai, nuk kanë kapacitetet e duhura për administrimi dhe mbrojtjen e sipërfaqeve pyjore, ç’ka dëshmohet edhe nga situata e javëve të fundit në shumë prej bashkive të vendit.

“Kur ishin komuna, kishin pak fonde për mbrojtjen e pyjeve. Por, grumbullimi sot i të gjitha kompetencat pranë bashkive sikur i ka lënë në hije pyjet. Edhe shpopullimi i zonave, ku po bien zjarret, ka krijuar mungesë informacioni”, thotë ai.

Puka vazhdon të jetë një nga zonat më problematike gjatë ditëve të fundit përsa i përket rrezikshmërisë së vatrave të zjarrit në sipërfaqet pyjore, të cilat, në disa raste, i janë afruar edhe zonave të banuara.

Kryetari i bashkisë, Gjon Gjonaj, flet për një katastrofë mjedisore dhe për mosfunksionim të ligjeve për pyjet.

“Sot kemi disa miratime ligjesh për pyjet, po asnjë i zbatushëm. Të gjitha të mbetura në sirtar. Sot ka ardhë koha për t’i thënë ndal kësaj katastrofe natyrore, e cila do të na sjellë shumë herë mbrapa”.

Përfaqësuesi i Federatës së Pyjeve, zoti Guri, thotë se pas vitit 1991, për një kohë të gjatë, pyjet u dëmtuan nga prerjet e jashëtligjëshme, ndërsa vitet e fundit ato po dëmtohen nga zjarret thuajse të përvitshëm si dhe erozioni. Pyjet, shton ai, vazhdojnë të shikohen vetëm si burim të ardhurash për bashkitë.

“Shteti ka nxjerrë një ligj, që thotë se për x hektarë me pyll duhen kaq specialistë pyjesh. Por mungesa e specialistëve të pyjeve dhe politikat që ndjekin bashkitë kanë bërë që pyjet të shikohen si burim të ardhurash. Por pyjet duan përkujdes, mjedisi don përkujdes. Kjo ka të bëjë me ndërgjegjësimin e njerëzve. Nëqoftëse një pakujdesi e një individi krijon një dëm aq të madh sa duhen 10 vite për ta rikuperu, atëherë njerëzit duhet të ndërgjegjësohen vetë”, thotë zoti Guri.

Shqipëria ka një moratorium që ndalon prerjet në siperfaqet pyjore, por ajo nuk po arrin të ndalojë përhapjen e vatrave të zjarrit, të cilat, në më të shumtën e rasteve, jane ose nga pakujdesia, ose të qëlimshme, por që vazhdojnë të dëmtojnë rëndë këtë pasuri kombëtare