Varianti britanik i COVID-it në Maqedoninë e Veriut

Autoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut njoftuan të mërkuren për rastin e parë të variantit të ri britanik të koronavirusit të regjistruar në një klinikë private në Shkup.

Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se rasti është evidentuar para një muaji. “Gjatë analizave të të dhënave për pacientët me Covid-19, në laboratorin privat për gjenetikë dhe mjekësi të personalizuar të Klinikës “Zhan Mitrev”, tek një mostër është regjistruar mutacioni i variantit britanik të virusit SarsCov2”, thuhet në një njoftim të ministrisë.

Bëhet fjalë për një 46 vjeçar i cili tanimë është shëruar, sipas të dhënave të Intsitutit të Shëndetit Publik. Sipas këtij instituti, pacienti me datë 29 dhjetor për shkak të temperaturës së lartë dhe vështirësisë në frymëmarrje kishte bërë testin e shpejtë që kishte rezultuar pozitiv.

Më 4 janar i ishte bërë një test PCR në klinikën private Zhan Mitrev dhe ai menjëherë ishte shtruar në këtë spital. Në një test tjetër më 15 janar përsëri kishte rezultuar pozitiv.

Në anketën epidemiologjike, pacienti ka thënë se nuk ka qenë fare jashtë vendit dhe as nuk ka pasur kontakte me persona të sëmurë. Laboratori i këtij spitali privat kishte konstatuar përmes një mënyre të posaçme të PCR se pacienti ishte i dyshuar për një variant të ri të koronavirusit.

“Të gjitha mutacionet tek varianti britanik i virusit janë konfirmuar edhe tek izolati i pacientit në Shkup”, tha Ministria e Shëndetësisë.

Mostrat e tjera të analizave në këtë klinikë nuk kanë rezultuar me variantin e ri. Autoritetet thonë se po hetojnë nëse mund të ketë përhapje të këtij varianti.

Ndërkohë, gjendja me koronavirusin në Maqedoninë e Veriut duket se është zbutur në pak javët e fundit, ndonëse numri i viktimave ka shkuar në 2821.

Ende nuk kanë arritur vaksinat kundër koronavirusit edhe pse vendi ka bërë të ditur se i ka paguar paradhënie për 833 mijë vaksina kompanisë Pfizer.

Në pritje të dozave, qeveria thotë se po shikon mundësinë e blerjes së vaksinës kineze.