SHBA: trysni ndaj ligjvënësve për të marrë masa ndaj dhunës me armë

Ligjvënësit amerikanë që kthehen në Uashington këtë javë do të përballen me trysni në rritje për të marrë masa për dhunën nga armët në Amerikë, pas një vrasjeje tjetër masive që mori jetën e 17 vetëve në një shkollë të mesme në Florida.

Ditët e fundit, nxënësit amerikanë janë mobilizuar politikisht në një nivel që nuk është parë që nga Lufta e Vietnamit, duke kërkuar që Uashingtoni të veprojë.

Presidenti Trump po i kërkon Kongresit që të forcojë kontrollin për historinë e blerësve të armëve, të rrisin moshën kur lejohet blerja e armëve gjysmëautomatike dhe të ndalojë pajisjet që i bëjnë armët të godasin më me shpejtësi. Ai po nxit gjithashtu shkollat që të lejojnë mësuesit të mbajnë armë, për të qëlluar sulmues të mundshëm:

“Pse i mbrojmë aeroportet dhe bankat, ndërtesat qeveritare, por jo shkollat? Ka ardhur koha ta bëjmë shumë më të vështirë që shkollat të jenë në shënjestër të sulmuesve. Nuk i duam në shkollat tona”.

Armatosja e mësuesve mbështetet me forcë nga mbrojtësit e të drejtës për armëmbajtje, por ligje të reja për masa të forta për armëmbajtje bien ndesh me të. Shoqata Kombëtare e Armëve thotë se tragjedia në Florida mund të ishte parandaluar nëse autoritetet federale do të kishin vepruar pas disa paralajmërimeve për autorin e sulmit:

"Ky i çmendur nuk duhej të ishte lejuar kurrë të blinte armë, kurrë… Anëtarët e shoqatës sonë janë prindër. Ne shohim fëmijët tanë në çdo fëmijë. Nuk duam të shohim më kurrë diçka të tillë”.

Armatosja e mësuesve është hedhur poshtë nga guvernatorët e dy partive politike dhe nga vetë disa mësues:

“Brenda në klasë? Jo, unë kamë një fëmijë shtatë vjeç dhe nuk do të doja që ai të shkonte në shkollë duke e ditur që mund të kishte një armë në klasë, qoftë e mbushur me plumba ose jo”.

Kanë kaluar dy dekada që kur Kongresi miratoi legjislacion të rëndësishëm për armët e zjarrit. Ndalimi i armëve të sulmit, miratuar në vitin 1994, skadoi në vitin 2004 dhe që nga ajo kohë kanë ndodhur shtatë nga 10 vrasjet më masive në historinë amerikane. Shumë demokratë duan ta rishqyrtojnë ndalimin e armëve gjysmautomatike:

“Ne vazhdojmë të vuajmë nga problemi i dhunës së vrasjeve masive që ndodh vetëm në Amerikë… Vetëm në Amerikë kostoja e mosveprimit është një vrasje tjetër masive e fëmijëve tanë në shkolla. Vetëm në Amerikë, ne kemi zgjedhur të mbrojmë përfitimet e korporatave të armëve, para jetës së të rinjve tanë”.

Nxjerrja jashtë ligjit e një kategorie të tërë armësh zjarri nuk ka gjasa të miratohet nga Kongresi i udhëhequr nga republikanët. Por mbështetja politike po konsolidohet për veprim për disa propozime më pak polarizuese. Kongresi nuk ka miratuar ndryshime në ligjet për armët pas vrasjeve masive në Universitetin “Virginia Tech”, Newtown në Connecticut, dhe Las Vegas të Nevadës. Nxënësit në Florida dhe vende të tjera po premtojnë se këtë herë do të jetë ndryshe.