Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ka anuluar bisedimet e fshehta që duhej të mbaheshin të dielën në Kampin David me presidentin afgan Ashraf Ghani dhe udhëheqësit e lartë të talebanëve.
Presidenti Trump, shkroi të shtunën në rrjetin social twitter se i ka anuluar planet për një takim në pushimoren presidenciale në Maryland, pas sulmit me një makinë bombë në Kabul, që la pas vetes 12 të vrarë, përfshirë edhe një ushtar amerikan.
Ai tha se talebanët kryen sulmin për të krijuar një “pozicion të rrejshëm në negociata”. Ai tha që nëse talebanët “nuk mund të pajtoheshin për një armëpushim gjatë këtyre bisedimeve shumë të rëndësishme të paqes dhe madje vranë 12 njerëz të pafajshëm, atëherë më gjasë nuk kanë fuqi të negociojnë një marrëveshje kuptimplotë të paqes. Edhe sa dekada janë të gatshëm të luftojnë”.
Zyra e presidentit afgan, Ashraf Ghani, lëshoi një deklaratë të dielën në përgjigje të anulimit të bisedimeve nga presidenti Trump.
“Paqja e vërtetë do të ndodhë kur talebanët të pajtohen për armëpushimin”, thuhet në deklaratën që e transmetoi agjencia e lajmeve Reuters.
Nuk pati një reagim të menjëhershëm të talebanëve.
Negociatat për një marrëveshje të paqes janë zhvilluar për muaj të tërë ndërmjet diplomatëve amerikanë dhe talebanëve, të cilët i kanë refuzuar thirrjet për një armëpushim.
Anulimi i bisedimeve të fshehta i ka habitur analistët.
Michael Kugelman nga qendra Wilson, tha se “për muaj të tërë, negociatorët amerikanë kishin punuar në mënyrë të kujdesshme për një marrëveshje. Ata ishin në prag të saj. Dhe tani, me sa duket, një postim i vetëm i presidentit Trump u ka hequr atyre rrogozin nën këmbë”.
Zoti Kugelman i tha Zërit të Amerikës se nuk beson që bisedimet janë tërësisht të vdekura.
"Presidenti Trump është një negociator i mprehtë dhe ky mund të jetë një veprim që synon të frikësojë talebanët, t’i bëjë ata që ta zbusin dhunën dhe të kthehen në tryezën e bisedimeve në një pozitë më të dobët," tha ai.
David Sedney, nga Universiteti Amerikan i Afganistanit, tha se qëndrimet e presidentit Trump “ishin të papritura në dritën e negociatave që po vazhdonin në Doha vetëm pak orë më herët ndërmjet zyrtarëve amerikanë dhe talebanëve – bisedime që grupi militant i cilësoi si shumë pozitive”.
Një marrëveshje e paqes që do të çonte në tërheqjen e 14 mijë trupave amerikane nga Afganistani, do t’i jepte fund luftës më të gjatë në historinë amerikane.
Besohet se 150 mijë veta, përfshirë 40 mijë civilë, janë vrarë në Afganistan që nga viti 2001 kur pushtimi i drejtuar nga Shtetet e Bashkuara rrezoi nga pushteti talebanët që kishin strehuar Al Qaidan dhe Osama bin Ladenin, përgjegjës për sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara.
Luftëtarët talebanë kryen sulme të reja në Kabul dhe dy qytete të tjera javën e kaluar. Grupi kontrollon tani më shumë territor sesa në cdo periudhë tjetër që nga viti 2001.
Zyrtarët amerikanë të kontaktuar nga Zëri i Amerikës pas deklarimeve të presidentit, refuzuan të bëjnë ndonjë koment.
Diplomati amerikan që drejton përpjekjet për një marrëveshje, Zalmay Khalilzad, tha më 31 gusht se “jemi në prag të një marrëveshjeje që do të zvogëlojë dhunën dhe do të hap dyert për afganët që të ulen së bashku për të negociuar një paqe të ndershme e të qëndrueshme dhe për një Afganistan të bashkuar e sovran, që nuk kërcënon Shtetet e Bashkuara, aleatët e saj ose ndonjë vend tjetër".
Një projekt-marrëveshje ndërmjet negociatorëve amerikanë dhe talebanëve u arrit ditë më parë, por një marrëveshje e plotë e paqes varej nga bisedimet pasuese ndërmjet afganëve.
Para deklarimeve të presidentit Trump, presidenti afgan kishte planifikuar dhe pastaj papritmas kishte anuluar një udhëtim në Shtetet e Bashkuara.
Analistët në Kabul i kishin thënë Zërit të Amerikës se kjo ishte një shenjë që qeveria e atjeshme nuk ishte e kënaqur me marrëveshjen e arritur ndemjet Shteteve të Bashkuara dhe talebanëve dhe se ka dallime në qasjen ndaj procesit ndërmjet Kabulit dhe Washingtonit.