Në kërkim të konsensusit për Sirinë

Shtetet e Bashkuara, Rusia, Arabia Saudite dhe Turqia takohen të enjten në Vjenë në kuadër të bisedimeve ndërkombëtare për të ardhmen e Sirisë. Të premten takimit i bashkohet edhe Irani

Bisedimet ndërkombëtare për të ardhmen e Sirisë fillojnë të enjten në Vjenë. Sekretari amerikan i shtetit John Kerry, e cilësoi takimin si mundësinë “më premtuese” për t’i dhënë fund llahtarit të vazhdueshëm katër vjeçar e gjysmë në atë vend.

Diplomatë të lartë nga Shtetet e Bashkuara, Rusia, Arabia Saudite dhe Turqia, do të marrin pjesë në bisedimet joformale të enjten. Të premten, takimi do të zgjerohet duke përfshirë edhe vende tjera, përfshirë edhe Iranin, një nga mbështetësit kryesor ndërkombëtarë të Sirisë.

Në bisedime nuk do të përfshihen as përfaqësuesit e qeverise siriane e as të grupeve kryesore që synojnë rrëzimin e saj. Megjithatë, sekretari Kerry u shpreh optimist të mërkurën se bisedimet duket të jenë rruga më e mirë për të arritur paqen e mundshme. “Ndonëse gjetja e rrugës përpara për Sirinë, nuk është e lehtë – nuk do të jetë automatike – kjo është mundësia më premtuese që kemi parë deri tash”, tha sekretari Kerry duke folur në Institutin për Paqe, Carnegie.

Sipas statistikave, një në 20 sirianë është vrarë apo është plagosur, një në pesë është refugjat, tha ai. “Miqtë e mi, sfida me të cilën përballemi sot në Siri, nuk është veçse hartimi një kursi për dalë nga ferri”.

Sekretari Kerry, që u nis për në Vjenë pas fjalimit, tha se Shtetet e Bashkuara kanë dy rrugë përpara në qasjen ndaj Sirisë. Njëra është rruga diplomatike siç është kjo e negociatave të kësaj jave.

Rruga e dytë është intensifikimi i fushatës kundër Shtetit Islamik nga koalicioni i drejtuar nga Shtetet e Bashkuara. Sekretari Kerry tha se koalicioni do të mbështesë luftëtarët e moderuar në Sirinë Veriore, duke intensifikuar fushatën e sulmeve ajrore dhe duke shtuar trysninë mbi fortesën e Shtetit Islamik në Raqqa. “Presidenti e ka bërë të qartë se jemi të vendosur që të rrënojmë Shtetit Islamik sa më shpejtë”.

Të mërkurën ligjvënësit amerikanë vunë në dyshim perspektivën e përparimit në bisedimet shumëkombëshe mbi të ardhmen e Sirisë, duke marrë parasysh hendekun ndërmjet qëndrimeve amerikane dhe pikëpamjeve të Rusisë dhe Iranit.

“Është e vështirë të përballësh faktet në terren dhe mundësitë për ndonjë zgjidhje të madhe diplomatike”, tha senatori Bob Corker gjatë një dëgjimi mbi strategjinë për Lindjen e Mesme.

Corker i përmendi sulmet ajrore të Rusisë mbi opozitën siriane, përfshirë edhe disa grupe opozitare të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, si arsye kryesore për rezervat e tij. Ai gjithashtu vuri në dukje përpjekjet e Iranit dhe Rusisë për të mbështetur presidentin sirian Bashar al-Assad, i cili është epiqendra e gjakderdhjes katërvjeçare në Siri.

Për më tepër, komentet në Teheran, tregojnë se qëndrimi i Iranit është tërësisht i kundërt me pikëpamjet amerikane për situatën në Siri.

Gjatë dëgjimit ne Senat, gjenerali John Allen, u tha ligjvënëseve se kriza në Siri është më e ndërlikuara që ka parë ai gjatë karrierës së tij ushtarake. John Allen, gjeneral në pension i marinës, është i dërguar i posaçëm amerikan për luftën kundër Shtetit Islamik në Siri dhe në vendet tjera.

Ministri i Jashtëm iranian, Mohamed Javed Zarif, do të marrë pjesë në takimin e Vjenës i shoqëruar nga tre zëvendës ministra të jashtëm. Por, ka shenja të reja se Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë qëndrime shumë të ndryshme lidhur me çështjen e Sirisë.

Zyrtari i lartë iranian i sigruisë, Ali Shamkhani, tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët, po luftojnë tash e tri vjet me radhë për të rrëzuar qeverinë e Assadit. Krejt çfarë kanë arritur fuqitë perëndimore, tha Shamkhani gjatë një vizite në Islamabad, është kriza e refugjatëve, një krizë terrorizimi dhe shkatërrim në shkallë të gjerë të infrastrukturës siriane.

Në këtë pikë, zyrtari iranian u tha gazetarëve në Pakistan se “ata kanë ardhur në përfundim se pikëpamja iraniane për të kërkuar një zgjidhje politike për problemin është e drejtë”.

Diplomatët amerikanë nuk presin një përfundim të bisedimeve këtë javë. Në vend të kësaj, ata presin se do të ketë raunde të tjera të takimeve në lidhje me të ardhmen politike të Sirisë.

Vjena është ndalesa e parë e sekretarit Kerry, në udhëtimin e tij që për herë të parë do të përfshijë kryeqytetet e Azisë Qendrore, Bishkek në Kirgizi, Samarkand në Uzbekistan, Astana në Kazakistan, Dushanbe në Taxhikistan dhe Ashgabat në Turkmenistan.