SHBA: Dy partitë i hedhin sytë tek gara e presidenciale e 2020-ës

  • Jim Malone

Në SHBA, edhe pse vazhdon numërimi i votave në disa prej garave që ishin pjesë e zgjedhjeve të 6 nëntorit për Kongresin, dy partitë e mëdha politike janë përqendruar tashmë në sfidën e ardhshme - betejën presidenciale të vitit 2020. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone sjell këto hollësi.

Në një konferencë shtypi pas zgjedhjeve, Presidenti Donald Trump u përpoq t’i përshkruante me një ton pozitiv rezultatet, të cilat bënë që demokratët të merrnin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve për herë të parë pas tetë vjetësh:

"Kjo ishte një fitore e madhe për ne. Nga pikëpamja e asaj që arritëm, ne të gjithë kemi dalë më të fituar, sepse unë vërtetë besoj se nëse demokratët dëshirojnë, ne mund të kalojmë shumë ligje të rëndësishme.”

Me ndihmën e Presidentit Trump, republikanët e rritën paksa shumicën e tyre në Senat.

Por demokratët i shohin rezultatet e zgjedhjeve të këtij viti si një shenjë paralajmëruese për presidentin, ndërsa ai përgatitet të kandidojë për tu rizgjedhur në vitin 2020.

Chuck Schumer është udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat:

"Republikanët humbën votueset gra, pakicat dhe votuesit periferikë në të gjithë vendin në një shkallë të tillë saqë kjo duhet të shqetësojë çdo kandidat republikan në zgjedhjet e vitit 2020 ashtu si edhe Presidentin Trump".

Presidenti Trump ishte faktor kyç në zgjedhjet e këtij viti për votuesit e të dyja partive, thotë analisti John Fortier.

"Donald Trump doli shumë mirë në shtetet republikane, në zonat rurale, në qytete më të vogla. Por demokratët fituan më tepër në zonat nënurbane, ku votuesit e bardhë dhe më të arsimuar votuan me shumicë kundër tij”.

Sfida për demokratët tani është gjetja e një balance midis bashkëpunimit me presidentin dhe hetimit ndaj administratës së tij, thotë analisti Larry Sabato.

"Ata siguruan një fitore deri diku, por kjo nuk i ngjan aspak asaj të republikanëve në vitin 2010. Dhe nëse demokratëve nuk u kujtohet kjo, atëherë ata do të jenë në kontroll të Dhomës së Pëfaqësuesve vetëm për dy vjet dhe pastaj zoti Trump do të rizgjidhet, duke i sjellë republikanët përsëri në pushtet".

Demokratët fituan disa gara të rëndësishme për guvernatorë dhe kjo mund t'i ndihmojë ata në betejën presidenciale të vitit 2020, thotë Jim Kessler.

"Demokratët fituan në shtetet ku në vitin 2016 kishte fituar zoti Trump. Në Miçigan, në Uiskonsin dhe në Pensilvani, demokratët arritën të zgjedhin politikanë të moderuar për guvernatorë. Muri blu i demokratëve që u shkatërrua në vitin 2016 po ndërtohet përsëri, nëse demokratët emërojnë njeriun e duhur në vitin 2020."

Në janar, balanca e pushtetit në Uashington do të ndryshojë dhe demokratët do të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.

Në të njëjtën kohë, demokratët i kanë hedhur sytë drejt vitit 2020 dhe procesit të përzgjedhjes së një kandidati presidencial i cili do të përpiqet t’i mohojë Presidentit Trump një mandat të dytë katërvjeçar.