Fundi i programit të mbledhjes së të dhënave telefonike

Qeveria federale do t’i japë fund sot në mesnatë mbledhjes masive të të dhënave telefonike të miliona amerikanëve.

Kjo masë pason polemikat që u shkaktuan nga informacionet e publikuara nga ish-kontraktorit Edward Snowden.

Sipas një njoftimi për shtyp, Agjencia e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së (NSA), që menaxhon programin e mbledhjes së të dhënave telefonike, do të përdorë në vazhdim metoda më të përqëndruara survejimi.

Pritet që sistemi i ri të jetë menjëherë funksional me mbylljen e programit të tanishëm në mesnatë.

Pas këtij momenti, sipas Aktit Amerikan për Lirinë, nëse qeverisë i duhet të mbledhë të dhëna masive telefonike, do t’i duhet të bëjë një kërkesë pranë kompanisë përkatëse telefonike për të patur të drejtën e kontrollit të të dhënave të tyre. Kërkesa e qeverisë amerikane do të duhet të jetë e përqëndruar tek një person konkret, një llogari konkrete, ose një adresë, apo paisje konkrete. Kjo kufizon përmasat e informacionit që mblidhet.

Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar thotë se proçesi i ri i lejon Shteteve të Bashkuara të identifikojnë komunikimet ndërmjet terroristëve në të gjithë botën dhe individëve në SHBA, ndërkohë që forcon edhe privatësinë e të gjithë amerikanëve.

Presidenti Obama pati deklaruar fundin e programit të mbledhjes masive të të dhënave në muajin janar. Në muajin qershor, Kongresi gjithashtu miratoi fundin e programit, por duke i dhënë edhe 6 muaj kohë periudhës së tranzicionit, drejt mbylljes.