SHBA: Strategji e re për sistem hapësinor mbrojtjeje nga raketat

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Donald Trump do të publikojë sot një strategji të re për një sistem hapësinor të mbrojtjes nga raketat.

Zoti Trump do t’i zbulojë detajet e asaj që njihet si Rishikim i Programit të Mbrojtjes me Raketa, në Pentagon.

Pas rishqyrtimit dilet në përfundimin se ushtria amerikane duhet të zgjerojë dhe përmirësojë teknologjitë e mbrojtjes me bazë në hapësirë për t’iu kundërvënë sistemeve të sofistikuara të armëve të prodhuara nga Rusia, Kina, Koreja e Veriut dhe Irani.

Një zyrtar i lartë i administratës u tha gazetarëve të mërkurën se strategjia parashikon vendosjen e sensorëve në hapësirë për t'iu përgjigjur më shpejt lëshimit të raketave armike si dhe shqyrtimin e mundësisë së vendosjes së interceptorëve në hapësirë.

Zyrtari tha se administrata beson se zhvillimi i sistemeve të mbrojtjes në hapësirë është hap tjetër logjik për të qëndruar në avagardë ndaj kërcënimeve të jashtme.

Çdo zhvillim që lidhet me sistemet e mbrojtjes në hapësirë do të konkurronte me prioritetet e tjera ushtarake amerikane, përfshirë një gjeneratë të re armësh bërthamore, për të cilat janë caktuar miliarda dollarë shtesë.