Operacionet e kërkimit-shpëtimit vazhduan edhe sot për tre marinarët që rezultojnë të zhdukur një ditë pasi një aeroplan transporti i marinës amerikane u rrëzua në pjesën perëndimore të oqeanin Paqësor.
Aeroplani u rrëzua 925 kilometra në juglindje të Okinavës, ndërsa transportonte pasagjerë dhe mallra nga një bazë amerikane në Japoni, tek aeroplanmbatësja amerikane “Ronald Reagan”.
Sipas zyrtarëve rreth 40 minuta pas incidentit u arrit të shpëtohen tetë vetë. Ata u dërguan menjëherë tek aeroplanmbatësja amerikane dhe u raportua se gjendja e tyre shëndetsore është e mirë.
Marina njoftoi se anije dhe avionë amerikane e japoneze po kryejnë kërkime në një rreze prej 320 miljesh detare.
Ende nuk janë dhënë shpjegime mbi shkaqet e incidentit, por sipas marinës ngjarja po hetohet.
Përplasja e së mërkurës llogaritet të jetë incidenti i pestë serioz i regjistruar këtë vit nga marina amerikane në ujërat aziatike.
Dy aksidente me pasoja fatale, ku u përfshinë anije, lanë pas 17 marinarë të vdekur dhe nxitën departamentin e Mbrojtjes të marrë vendim për të larguar nga detyra tetë oficerë të lartë të marinës, përfshirë edhe komandantin e flotës së 7-të.