Vdiq ish senatori amerikan, Richard Lugar

Në SHBA vdiq në moshën 87-vjeçare ish-senatori i shtetit të Indianës Richard Lugar, ekspert i politikës së jashtme.

Republikani Lugar do të mbahet mend si njeriu i cili ndihmoi në çmontimin e mijëra armëve bërthamore në ish-shtetet sovjetike dhe kontribuoi në shkatërrimin e armëve kimike të Shqipërisë.

Qendra Lugar në Uashington tha në një deklaratë se Richard Lugar vdiq të dielën në Spitalin e Sëmundjeve të Zemrës Inova në Fairfax të shtetit Virxhinia.

Lugar u zgjodh për herë të parë në Senat në vitin 1976, pas tetë vjetësh si kryetar bashkie i qytetit Indianapolis.

Senatori republikan shërbeu për dekada të tëra në Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, ku ka qenë dy herë kryetar. Në këtë funksion, senatori Lugar ndihmoi në realizimin e marrëveshjeve për pakësimin e armëve nën administratat e presidentëve George H.W. Bush, Bill Clinton dhe Barack Obama.

Duke filluar nga viti 2004, programi u zgjerua përtej këtyre vendeve dhe përfshiu shkatërrimin e armëve kimike në Shqipëri.

Senatori Lugar mbështeti zgjerimin e NATO-s dhe favorizoi ndihmën për kryengritësit Kontra të Nikaraguas.

MBËSHTETI NDËRHYRJEN E NATOS NË KOSOVË

Senatori Lugar ishte mbështetës i ndërhyrjes së NATO-s njëzet vjet më parë në Kosovë, udhëheqësit e të cilës e cilësuan e vlerësuan si mik të madh të saj.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkroi në rrjetet sociale të dielën se “ai bëri shumë për Kosovën, në ditët më të vështira për popullin tonë. Ishte një prej zërave më të mëdhenj pro intervenimit të NATO-s dhe një mbështetës i pavarësisë sonë. Do ta ruajmë përjetësisht kujtimin për të!”

Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se “Kosova sot ka humbur një nga miqtë e saj të shquar, ish-Senatorin amerikan nga Partia Republikane Richard Lugar, mbështetësin e madh të pavarësisë sonë. Shqiptarët do t’i jenë mirënjohës përjetë përfaqësuesit të shtetit Indiana në Senat, Lugar, i cili së bashku me John McCain përkrahu Presidentin Bill Clinton për intervenim kundër Serbisë, për ta parandaluar gjenocidin në Kosovë”.

Ndërsa, kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, shkroi se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë humbur një burrështetas të kalibrit ndërkombëtar, senatorin Richard Lugar, i cili ka pasur rol protagonist në politikën e jashtme të këtij vendi, duke e bërë botën më të paqtë e më të sigurt. Mirëpo, për ikjen e tij, sot është e pikëlluar edhe Kosova, që te senatori Lugar ka gjetur për dekada me radhë një mik të sinqertë e të përkushtuar, i cili na është gjetur në vështirësi e nevojë. Mbështetja dhe zëri i tij i fuqishëm ishte një rreze e fortë drite për popullin tonë në kohët më të errëta. Ai do të mbetet përherë në kujtesën tonë si një fisnik që është përpjekur ta bëjë këtë botë më të mirë dhe i mbetemi përherë borxhlinj për ndihmën që na ka dhënë”, shkroi ai.