SHBA furnizon Libanin me raketa lazer

Ambasada amerikane në Liban njoftoi se Shtetet e Bashkuara kanë furnizuar ushtrinë libaneze me raketa-lazer me një vlerë mbi 16 milionë dollarë.

Në një deklaratë të saj thuhet se raketat e dorëzuara të mërkurën janë një komponent kyç për një flotilje aeroplanësh luftarakë A-29 “Super Tucano” që u janë dorëzuar më parë autoriteteve libaneze. Kjo demonstron "angazhimin e fortë e të qëndrueshëm" të qeverisë amerikane për të mbështetur ushtrinë libaneze në kapacitetin e saj si "mbrojtësja e vetme legjitime e Libanit".

Komenti dukej se i referohej organizatës Hezbollah që mbështetet nga Irani, një grupim që dominon politikën e vendit dhe që disponon një arsenal që konkuron me atë të ushtrisë libaneze.

Gjatë një vizite këtë javë ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif ofroi ndihmën ushtarake të vendit të tij për Libanin, por tha se qeveria libaneze duhej të tregonte së pari “gatishmërinë'' për ta pranuar atë.