Në Kosovë flamujt janë vënë në gjysmështizë derisa vendi është në zi shtetërore, në nderim të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George H.W. Bush.
Orët e para të mësimit në shkollat e Kosovës ju kushtuan rolit të ish presidentit Bush të cilin shqiptarët e Kosovës e kujtojnë për “paralajmërimin e Krishtlindjeve”, një letër e dhjetorit të vitit 1992, që George H. W. Bush i kishte drejtuar atëbotë presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviç, në të cilën thuhej se në rast të një konflikti në Kosovë të shkaktuar nga veprimi serb, Shtetet e Bashkuara do të jenë gati të përdorin forcën ushtarake.
Shtetet e Bashkuara drejtuan fushatën ajrore të NATO-s në vitin 1999, për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Nëntë vjet pas asaj ndërhyrjeje Kosova shpalli pavarësinë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara që udhëhiqeshin atëbotë nga presidenti Geroge W. Bush, i biri i presidentit tashmë të ndjerë.