I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Tump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi, Richard Grenell, tha të mërkurën në një intervistë me Gazetën Express se takimi i udhëheqësve të të dyja vendeve me 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, do të jetë i përqendruar vetëm në çështjet ekonomike.
Ai tha se ka shumë thashetheme për këto bisedime dhe njerëzit që nuk e dinë janë duke e hutuar publikun.
“Kam qenë i qartë në mënyrë të përsosur ndaj të gjithëve që janë të përfshirë që ne, Shtetet e Bashkuara, qëndrojmë fuqishëm se kjo përplasje 20-vjeçare mes Kosovës dhe Serbisë do të zgjidhet vetëm përmes normalizimit ekonomik, vendeve të punës për të rinjtë dhe një ekonomie që rritet”, citoi Gazeta Express zotin Grenell i cili tha pos tjerash se është bashkërenduar me këshilltarin francez për siguri kombëtare dhe me këshilltarin gjerman për siguri kombëtare.
“Ata të dy e dinë se cili është roli i kufizuar i Shteteve të Bashkuara. Roli ynë i kufizuar është që të shtyjmë drejt normalizimit ekonomik, të ofrojmë ndihmë për të krijuar vende pune, të ofrojmë ndihmë që t’i lehtësojmë disa nga çështjet politike. Secili që vazhdon të parashikojë çështje politike ose që pretendon se ne do të bisedojmë për çështjet e vështira politike javën e ardhshme, e ka gabim”.
Lexoni edhe këtë Grenell: Kosova dhe Serbia të fillojnë një epokë të reZoti Grenell tha se procesi i bisedimeve Kosovë – Serbi i ka dy faza:
“Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara në fazën ekonomike. Të gjitha çështjet politike janë çështje evropiane. Ajo vjen e dyta. Ajo nuk do të jetë e suksesshme dhe vizioni që e ndajmë me francezët dhe gjermanët është se ju nuk do të jeni të suksesshëm në çështjet politike pa krijuar vende pune për të rinjtë dhe pa krijuar normalizim ekonomik. Si mund të pretendoni se jeni duke e bërë një marrëveshje finale, kur kufijtë nuk janë të hapur dhe kur nuk ka një fluturim mes Prishtinës dhe Beogradit për komunitetin e biznesit që të bëjë një normalizim ekonomik? Ky është mashtrim”, tha ai
Ai hodhi poshtë siç tha edhe “thashethemet” se administrata Trump po kërkon një marrëveshje të shpejtë.
“Kjo është plotësisht e gabuar, kjo kurrë nuk ka qenë pjesë e ekuacionit. Ne nuk kemi afate kohore. Ne kurrë nuk kemi kërkuar diçka të shpejtë. Albin Kurti vazhdimisht e thoshte këtë dhe ai gjithashtu vazhdimisht thoshte se ne duam shkëmbim territoresh. Unë po ju tregoj se nuk do të flasim për këto çështje të vështira politike”, tha ai.
Lexoni edhe këtë Kurti: Grenell nuk i do të keqen Kosovës, por kërkon marrëveshje të shpejtëZoti Grenell u shpreh i bindur se “njohja e ndërsjellë nuk mund të jetë e suksesshme derisa të keni ekonomi që rritet dhe biznese që rriten dhe të rinj që janë atje dhe evropianët duhet të jenë në krye të kësaj, sepse kjo është pjesë e Evropës”, tha ai duke nënvizuar se posa të fillojë të rimëkëmbet ekonomia... atëherë do të jetë më e lehtë për evropianët për çështjet politike.
Më herët gjatë ditës zoti Grenell, tha të enjten se takimi i 27 qershorit “hap dyert për zhvillim ekonomik dhe investime”.
“Shtetet e Bashkuara shpresojnë që udhëheqësit në Kosovë e Serbi do ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të rifilluar bisedimet dhe për të filluar një epokë të re të qëndrueshmërisë dhe përparimit”, tha më herët gjatë ditës ai.
Të hënën zoti Grenell ftoi të dyja vendet për një takim në Shtëpinë e Bardhë, ftesë që përkoi me ripërtëritjen e përpjekjeve të Bashkimit Evropian për rifillimin e bisedimeve.