DASH: Kosova dhe Serbia të shmangin retorikën negative

  • Leonat Shehu

Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin retorikën negative dhe të punojnë së bashku për një marrëveshje që siguron qëndrueshmëri për të dyja vendet dhe rajonin.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se "politika e kësaj administrate është e qëndrueshme: thelbi i çdo marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vijë nga vetë palët. Ne do të vazhdojmë të mbështesim të dyja palët dhe Bashkimin Evropian si lehtësues. Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje që është e zbatueshme, e qëndrueshme dhe nuk krijon paqëndrueshmëri në asnjërin vend apo në rajon. Kjo do të kërkojë largpamësi dhe elasticitet nga të dyja anët. Ne inkurajojmë palët që të marrin pronësinë e plotë të procesit, të ulin retorikën negative dhe të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive", thuhet në deklaratën për Zërin e Amerikës.

Your browser doesn’t support HTML5

DASH: Kosova dhe Serbia të shmangin retorikën negative

Ditëve të fundit janë shtuar idetë e hedhura nga të dyja palët për zgjidhjen e çështjes së marrëdhënieve ndërmjet tyre që përfshijnë ndarjen tokësore të Kosovës, shkëmbimin e territoreve apo 'korrigjimin e kufirit".

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ripërsëriti idenë e tij për bashkimin e luginës së Preshevës më Kosovën, një ide që ka nxitur shumë reagime ditëve të fundit.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e kundërshtoi sot sërish nga qyteti i Vlorës, ku ishte për një vizitë çështjen e hapjes së temës së kufijve e cila sipas tij është e papranueshme.

Ramush Haradinaj

"Për fat të keq, popujve të Ballkanit, luftërat kanë qenë tragjike në të kaluarën dhe realiteti i sotëm është krejtësisht rezultat i atyre luftërave. Ne duhet të konsolidojmë të arriturat tona, Shqipëria, Kosova e kudo që jemi shqiptar por hapja e temave ose e temës së kufijve është e papranueshme për neve...Ajo është një retorikë politike, Beogradi bënë retorikë, Prishtina bënë kundër retorikë apo kundër përgjigje, në fund ju e dini që kufijtë nuk lëvizin me fjalë", tha kryeministri Haradinaj.

Ndërsa, në Prishtinë presidenti Thaçi, tha se korrigjimi i kufirit me Serbinë do të bëhej në mënyrë paqësore.

Hashim Thaçi

"Kjo nënkupton jo ndarje të Kosovës, jo shkëmbim territoreve dhe jo autonomi për serbët, por korrigjim të kufirit dhe njohje e anëtarësim të Kosovës në të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë", tha presidenti Thaçi.

Deklaratat e tij nxitën edhe kundërshtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë e cila paralajmëroi se do të kërkojë opinionin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për qëndrimet e presidentit të vendit.

Duke ju referuar intervistës së kryetarit të grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti me Zërin e Amerikës në të cilën ai kundërshtoi qëndrimet për "korrigjimin e kufirit", presidentit Thaçi tha të mërkurën se është "i gatshëm ta ftoj z. Hoti ta udhëheqë dialogun me Serbinë. Ka përvojën politike, diplomatike, ka kredencialet akademike të reformave fiskale, ka autoritetin madhor në kuadër të kauzave kombëtare".

Duke u përgjigjur në një postim në facebook, zoti Hoti tha se qytetarët e Kosovës, përmes zgjedhjeve të lira, do të vendosin se kush do ta udhëheq dialogun me Serbinë.

"Një gjë është e qartë që tani se ai person nuk do të jetë z.Thaçi, pasi ai në bazë të Kushtetutës së Kosovës nuk ka mandat të vendos për këto çështje. E ftoj z.Thaçi të qëndrojë brenda kompetencave që ja jep Kushtetuta e Kosovës. Deklarimet e tij janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Në vend që të jetë garant i rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, ai është duke e cenuar çdo ditë atë dhe për këtë duhet të flasë Gjykata Kushtetuese", thuhet mes tjerash ne postimin e zotit Hoti.

Ngritja e debateve përkoi edhe me afatin për hartimin e projekt statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe që skadoi të shtunën e kaluar. Afati për statutin që tashmë është hartuar dhe do t'u dorëzohet palëve në Bruksel, ndërsa është i panjohur për opinionin publik, u përcoll edhe me pohimet se serbët e veriut të Kosovës mund të ndërmarrin veprime për shpalljen e njëanshme të autonomisë së tyre.

Serbia po akuzon Bashkimin Evropian për heshtje kundruall qasjes së Prishtinës ndaj marrëveshjes për krijimin e këtij asociacioni, që parasheh një shkallë të lartë autonomie për serbët në veriun e Kosovës.

Presidenti Thaçi siguroi sot që Kosova do të përmbushë marrëveshjen për themelimin e asociacionit.

Kosova do t’i kryej të gjitha obligimet e veta që ka marr përballë marrëveshjes së Bruskelit të vitit 2013 dhe marrëveshjeve të mëvonshme të nënshkruara në vitin 2015, në kuadër të kësaj edhe sa i përket themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe që nënkupton respektimin e kushtetutës së Kosovës, respektimin e marrëveshjes së Brukselit, respektimin e kritereve dhe standardeve për pushtet lokal evropianë edhe gjithashtu realitetet e krijuara në terren por edhe opinionin e gjykatës kushtetuese të Kosovës”, tha ai.

Bisedimet pritet të rifillojnë në shtator dhe do të duhej të çonin në një marrëveshje gjithëpërfshirëse detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës që ka hyrë në vitin e 11-të pavarësisë dhe Serbisë që vazhdon ta kundërshtojë atë.

Marrëveshja është kusht për të dyja palët që të përparojnë në rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.