SHBA thirrje Kosovës, Serbisë për fleksibilitet

U.S. Deputy Secretary of State William Burns speaks during a press conference at Rafik Hariri International Airport in Beirut, Lebanon, July 13, 2012.

Nën sekretari amerikan i Shtetit William Burns, shprehu mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Nën Sekretari i Shtetit William Burns bisedoi të martën në telefon me Kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryeministrin e Serbisë Ivica Daçiç për t’i përshëndetuar për rolin udhëheqës që po luajnë gjatë këtyre bisedimeve.

Nën Sekretari Burns u bëri thirrje të dy palëve të vazhdojnë përpjekjet e përbashkëta dhe të jenë fleksibël për arritjen e një zgjidhjeje që u shërben interesave të popujve të të dy vendeve si dhe të rajonit në tërësi.

Sipas zëdhënësit amerikan, të dy kryeministrat e siguruan diplomatin e lartë amerikan se ata janë të angazhuar të punojnë në mënyrë konstruktive gjatë këtij procesi bisedimesh nën drejtimin e Bashkimit Evropian, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përparojnë drejt realizimit të aspiratave të tyre evropiane.