Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënshkruan të martën marrëveshjen për ekstradim. Kjo marrëveshje sipas zyrtarëve të të dyja vendeve, përveç që forcon partneritetin dhe përcaktimin për rend dhe ligj, garanton po ashtu se kriminelët që paraqesin rrezik për rendin dhe sigurinë e qytetarëve e të dyja vendeve do të ndiqen dhe do të vihen para drejtësisë.
Your browser doesn’t support HTML5
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara dhe do të vazhdojë të vihen në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
“E ritheksoj se Kosova do të jetë partner i besueshëm i Shteteve të Bashkuara dhe më vjen mirë që gjatë mandatit tim kemi arritur ta thellojmë këtë partneritet dhe miqësi si në aspektin e sigurisë ashtu edhe në procese tjera dypalwshe. Kosova është falënderuese për ndihmën dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për konsolidimin tonë shtetëror dhe jemi krenarë që sot bashkërisht po e dëshmojmë përcaktimin tonë për bashkëpunim në çështjet e rëndësishme për dyja vendet”, tha presidentja Jahjaga.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë Greg Delawie tha se kjo është një ngjarje historike pasi që kjo marrëveshje do të zëvendësojë atë ndërmjet qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe mbretërisë së Serbisë, të nënshkruar në vitin 1901.
“Kjo marrëveshje ndër më modernet në rajon do t'u mundësojë policisë dhe prokurorëve tanë të bashkëpunojnë në mënyrë më të frytshme për të sjellë kriminelët para drejtësisë në të dy anët e Atlantikut. Aftësia për të ekstraduar kriminelët midis dy vendeve tona, do të jetë një mjet i rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit dhe kundër krimeve përtej kombëtare. Kjo do të kontribuojë në sigurinë rajonale duke u siguruar që vendet tona të mos bëhen strehë e sigurt për kriminelët”, tha ambasadori Delawie duke nënvizuar se kjo marrëveshje do të rrisë besueshmërinë e Kosovës në botë, që mund të rritet edhe nëse luftohet korrupsioni me sukses.
“Përpjekjet tona për t'i dhënë fund korrupsionit nuk janë të kufizuara me cilët ne do të punojmë, por edhe me ata të cilët nuk do të punojmë. Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe ambasada nuk do të takohet me zyrtarë të cilët kanë qenë të lidhur ose të dënuar për korrupsion. Kjo politikë është përdorur në disa nga udhëtimet e mia nëpër Kosovë, kur nuk kam mundur të takohem me disa nga kryetarët e komunave dhe zyrtarët publikë. Ajo e komplikon punën e ambasadës, por kjo është gjë e drejtë për të bërë. Unë besoj se zyrtari që është i lidhur apo i dënuar për abuzim të postit publik nuk duhet të lejohet që të vazhdojë punën e tij përderisa nuk janë të qarta ose të përfunduara borxhet ndaj shoqërisë. Në qoftë se ju keni qenë të akuzuar për korrupsion, ne e dimë se kush jeni dhe ne nuk do të bashkëpunojmë me ju”, tha ambasadori Delawie.
Luftimi I korrupsionit tha ai, nuk është i mundur pa forcuar sundimin e ligjit. Për këtë qëllim, vetëm deri në shtator janë aftësuar gati një mijë e 200 profesionistë të sektorit të drejtësisë. Ambasadori Delawie tha se deri në vitin e ardhshëm qeveria amerikane do të shpenzojë më shumë se 12 milionë dollarë për të ndihmuar këtë çështje.