Shtetet e Bashkuara po paralajmërojnë se shkatërrimi i kalifatit të vetëshpallur të Shtetit Islamik nuk do të jetë i mjaftueshëm për mposhtjen përfundimtare të grupit terrorist, një vlerësim që Uashingtoni e bën megjithëse po tërheq shumicën e forcave amerikane nga Siria.
Forcat e Shteteve të Bashkuara shpallën fitore ndaj kalifatit të Shtetit Islamik, IS, të shtunën, duke çliruar qytetin verilindor sirian Baghuz pas një sërë sulmesh ajrore kundër disa qindra luftëtarëve që refuzuan të dorëzoheshin.
Që atëherë, Forcat Demokratike të Sirisë kanë qenë të përfshira në operacionet e pastrimit, duke kontrolluar me kujdes për eksplozivë e kurthe atë që ka mbetur nga kampet e grupeve terroriste, si dhe duke kërkuar një rrjet kompleks shpellash dhe tunelesh që përdoreshin për të fshehur mijëra luftëtarë dhe familjet e tyre deri në rënien e qytetit.
Megjithë optimizmin e shprehur nga zyrtarë të shumtë të koalicionit, përfaqësuesi i posaçëm i SHBA për Sirinë paralajmëroi se një fitore e qëndrueshme ende nuk është është arritur.
"Ky nuk është fundi i luftës kundër IS-it", u tha gazetarëve të hënën, i dërguari i SHBA-së për Sirinë, Xhejms Xhefri, "Ata janë duke u riorganizuar në grupe të vogla, duke vepruar në hije", tha ai, duke shtuar se ndikimi i plotë duhet të ndihet edhe në Siri, ku forcat e mbetura të grupit "janë të shokuar nga humbja në terren. "
Ambasador Xhefri, si dhe zyrtarë të tjerë të koalicionit, vlerësojnë se shteti islamik pretendon se ka 15,000 deri në 20,000 luftëtarë të përhapur në gjithë Sirinë dhe Irakun, megjithëse ai paralajmëroi se këto vlerësime nuk janë të sakta.
Zyrtarët amerikanë kishin vlerësuar më parë se Shteti Islamik, në kulmin e fuqisë së tij, kishte deri në rreth 34,000 luftëtarë. Por ambasador Jeffrey tha të hënën se numri mund të ketë qenë mbi 100,000.
Zyrtarë të tjerë të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe koalicionit gjithashtu kanë pranuar se aftësia e tyre për të vlerësuar numrin e forcave të grupit islamik ka qenë e kufizuar, duke parashikuar së fundmi se qindra luftëtarë u lanë për të mbrojtur Baghuzin kur, në të vërtetë, mijëra u vranë ose u dorëzuan.
"Ne dhe partnerët tanë kemi qenë vazhdimisht të gabuar, përsa i përket parashikimit të numrit të forcave të Shtetit Islamik”, tha një zyrtar i lartë i mbrojtjes.
Po kështu, ka shqetësime se rajoni mbetet një terren i përshtatshëm për Shtetin Islamik, i cili ka mësuar të përfitojë nga pakënaqësitë locale.
"Kushtet politike nuk kanë ndryshuar shumë që nga viti 2009, Në disa raste, gjendja është edhe më keq", thotë Craig Whiteside, bashkëpunëtor i lartë me Qendrën për Luftën e Parregullt në Kolegjin e Luftës Detare.
Ajo që e bënë IS-in të duket më i rrezikshëm, sipas analistit Whiteside, është se grupi ka kryer me sukses të paktën një kryengritje dhe ka pritur me durim derisa ajo të dalë e suksesshme.
"Ata nuk vendosin afate kohore në dokumentet e tyre strategjike. Ata thjesht lënë të kuptohet se do të vazhdojnë derisa të kenë sukses”, tha ai.
Në të njëjtën kohë, zyrtarët dhe analistët paralajmërojnë se Shteti Islamik ka më shumë se një vit që përgatitet për këtë kryengritje të re, duke filluar para rënies së Mosulit, kryeqyteti i tij në Irak, në qershor 2017.
Por të paktën në Siri, forcat e mbështetura nga SHBA-ja do të marrin pjesë në luftën e re pa të njëjtin nivel mbështetjeje.
"Forcat e armatosura po tërhiqen", tha ambassador Jeffrey të hënën, duke shpjeguar se disa prej 2,000 trupave amerikane që ishin stacionuar në Siri janë larguar tashmë - në përputhje me planin e njoftuar nga Presidenti Donald Trump në dhjetor.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se forca e mbetur, me gjasë rreth 200 trupa, do të vendoset në Sirinë verilindore dhe në al-Tanf, një garnizon amerikan në jug të Sirisë që shihet si çelësi për ndalimin e kontrabandistëve që mbështesin IS-in si dhe për kufizimin e ndikimit të Iranit në rajon .
Ka pasur bisedime midis Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të koalicionit për të ngritur një forcë prej rreth 1,500 trupash për të ndihmuar Forcat Demokratike të Sirisë të vazhdojnë operacionet e pastrimit dhe përpjekjet e tjera të stabilizimit.
Zyrtarët amerikanë i kanë karakterizuar bisedimet si pozitive. Por plani hasi disa kritika nga aleatët, si Franca, e cila u ankua javën e kaluar, se shumë pyetje rreth madhësisë, përbërjes dhe misionit të forcës së propozuar mbeten pa përgjigje.
Xhejms Xhefri foli të hënën kundër këtyre shqetësimeve, duke thënë se Shtetet e Bashkuara po merrnin një "përgjigje mjaft të mirë" ndaj kërkesës për aleatët që "të jepnin kontributin e tyre".
Ai gjithashtu hodhi poshtë një thirrje nga autoritetet kurde për të ngritur një gjykatë ndërkombëtare për të ndjekur penalisht luftëtarët e huaj që u bashkuan me grupin Shteti Islamik, veçanërisht ata që nuk janë marrë nga vendet e tyre.
"Ne nuk po merremi me këtë çështje tani tani," tha ambassador Xhefri, duke këmbëngulur se fokusi i SHBA-së mbetet për t’u siguruar që luftëtarët e huaj të grupit të kthehen në vendet e tyre të origjinës.
"Nëse vërtetë përpiqen, ata mund ta bëjnë këtë," tha ai.
Forca Demokratike e Sirisë po mban rreth 7,000 luftëtarë islamikë. Më shumë se 1,000 mendohet të jenë nga vende të tjera përveç Irakut dhe Sirisë.