Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, i bëri thirrje të martën qeverisë së Kosovës që të heqë tarifat ndëshkuese ndaj mallrave serbë që kanë bllokuar procesin e bisedimeve ndërmjet të dyja vendeve ballkanike.
Zoti Grenell, ambasador në Berlin, tha se Shtetet e Bashkuara presin që “tarifat të hiqen menjëherë”.
"Ne ua kemi bërë të qartë të gjithë udhëheqësve të partive në Kosovë që heqja e tarifave ishte në interesin më të mirë të Kosovës dhe ekonomisë së saj si dhe synimeve për të tërhequr biznese të reja. Dhe udhëheqësit e partive janë pajtuar", tha ai në një deklaratë dërguar nëpërmjet postës elektronike për agjencinë e lajmeve Associated Press.
Ambasadori Grenell muajin e kaluar ndërmjetësoi një marrëveshje për vendosjen e linjes ajrore ndërmjet të dyja vendeve pas 21 vjetësh dhe hapi diskutimet për rihapjen e linjës hekurudhore ndëmrjet tyre.
"Ne po shënojmë përparim historik," tha ambasadori Grenell. "Ka shumë të reja që do të publikohen së shpejti sepse të dy palët duan të ecin përpara. Këto lëvizje do të krijojnë një jetë më të mirë për njerëzit e rajonit", tha ai.
Lexoni edhe këtë Grenell: Kosova të heqë tarifat - Serbia të ndalë fushatën kundër njohjeveDitë më parë gjatë një vizitë në rajon, i dërguari amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell tha se “Kosova duhet të heqë tarifat ndërsa Serbia duhet t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës”.
Të martën edhe shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, mirëpriti formimin e qeverisë së re të Kosovës, të drejtuar nga Albin Kurti, ndërsa theksoi se pret intensifikimin e diskutimeve lidhur me bashkëpunimin ndërmjet BE-së dhe Kosovës, reformat dhe bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për punë me institucionet dhe qytetarët e Kosovës në rrugën evropiane. Ka shumë punë përpara për qeverinë e re për të përmbushur detyrimet nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, agjendën e reformave evropiane, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik. Bashkëpunimi rajonal duhet të forcohet sikurse edhe marrëdhëniet e mira fqinjësore. Në këtë kuadër presim rifillimin shpejtë të bisedimeve ndërmjet Beogradit e Prishtinës të lehtësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve. Gjendja aktuale nuk është e qëndrueshme. Nuk ka asnjë alternative për një rifillim të shpejtë të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në reagimin e zotit Borrell.
Ai kërkon edhe ri angazhimin e Kosovës në nismat rajonale në dobi të saj.
“Sfidat me të cilat përballet Kosova janë të mëdha, por të tilla janë edhe mundësitë e Kosovës. Ne jemi të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën në agjendën Evropiane të Reformave dhe të vazhdojmë mbështetjen tonë në forcimin e sundimit të ligjit për të gjithë, përmirësimin e administratës publike për të ofruar shërbime që qytetarët i meritojnë, krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike”, thuhet në njoftimin e zyrës së zotit Borrell.
Ai qëndroi javën e kaluar në Prishtinë dhe në Beograd në kuadër të përpjekjeve për ripërtëritjen e bisedimeve të bllokuara që nga vjeshta e vitit 2018 kur Kosova vendosi tarifa ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së Serbisë ndaj pavarësisë së saj.
Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e deritashme e Kosovës refuzoi edhe thirrjet evropiane e amerikane për heqjen apo pezullimin e tyre.
Të hënën Kosova u bë me qeverinë e re pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit të vitit të kaluar. Kryeministri i ri, Albin Kurti tha se qeveria e tij do të vendosë “reciprocitetin e plote me Serbinë”.