Mbështetësit e presidentit amerikan Donald Trump, pritet të parakalojnë të mërkurën në Uashington në përkrahje të kundërshtimit të certifikimit të fitores së presidentit të zgjedhur Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit.
Presidenti Trump planifikon të flasë në një tubim pranë Shtëpisë së Bardhë.
Zoti Biden pritet të flasë të mërkurën nga shtëpia e tij në Delaware pas një takimi me këshilltarët e tij ekonomik.
Kongresi do të mblidhet të mërkurën për të numëruar dhe certifikuar votat elektorale, që dolën zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.
Përpara ngjarjeve të së mërkurës, presidenti Trump vazhdoi të përdorte rrjetin twitter për të bërë pretendime të pambështetura se ai është fitues i zgjedhjeve.
“Ata nuk do të mbështesin vjedhjen e një fitoreje të madhe në zgjedhje”, shkroi ai për ata që udhëtonin për në Uashington për të protestuar.
Qindra njerëz u mblodhën të martën mbrëma në Uashington, përfshirë disa grupe që u përleshën me policinë.
Autoritetet thanë se arrestuan të paktën gjashtë persona nën akuzat që përfshinin armëmbajtje si dhe sulm ndaj një oficeri të policisë.
Rrugët e Uashingtonit u mbyllën dhe kryebashkiakja Muriel Bowser aktivizoi Gardën Kombëtare, nga droja e përsëritjeve së dhunës midis grupeve protestuese sic kishte ndodhur gjatë verës.
Lexoni edhe këtë Uashingtoni paralajmëron protestuesit të mos sjellin armë dhe të mos provokojnë dhunëDyqanet në qendër të qytetit janë mbuluar dhe pjesëtarët e Gardës Kombëtare do të ndihmojnë policinë e kryeqytetit dhe Parkut Kombëtar të kontrollojë turmat të mërkurën.
Zonja Bowser dhe politikanët në Maryland dhe Virgjinia u bënë thirrje banorëve që të qëndrojnë në shtëpi të mërkurën dhe të shmangin kundër-protestat.
Disa aktivistë në mediet sociale gjithashtu bënë thirrje që protestuesit të qëndrojnë në shtëpi, duke paralajmëruar kundër nxitjes së dhunës midis grupeve.
Përleshjet midis mbështetësve të presidentit Trump dhe kundër protestuesve në dhjetor çuan në katër persona të plagosur nga goditje thikash.
Pjesëtarë të grupit “Proud Boys” që e cilësojnë veten “shovinistë perëndimorë” pritet të marrin pjesë në protesta.
Të hënën, policia arrestoi udhëheqësin e grupit “Proud Boys”, Henry “Enrique” Tarrio dhe ngriti akuza ndaj tij për shkatërrim prone në lidhje me një protestë të mëparshme. Ai u lirua të martën, por i është ndaluar hyrja në qytet deri në seancën dëgjimore në qershor.
Certifikimi i zgjedhjeve, një veprim i zakonshëm dhe përgjithësisht ceremonial që normalisht do të zyrtarizonte fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhje pasi Kolegji Elektoral më 14 dhjetor e zgjodhi zyrtarisht kandidatin demokrat si fitues, këtë radhë është kthyer në një provë të besnikërisë së republikanëve ndaj Presidentit Trump. Mbi 100 ligjvënës besnikë të presidentit pritet ta sfidojnë procesin e certifikimit.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha në një letër drejtuar demokratëve të martën se certifikimi "ka të bëjë me garantimin e besimit në sistemin tonë demokratik".
"Si Anëtarë të Kongresit, të gjithë kemi përgjegjësinë për të mbështetur parimin se qytetarët janë sovranë dhe se ata kanë fuqinë për të zgjedhur udhëheqësit e tyre përmes kutisë së votimit," tha ajo.