Miliarderi Donald Trump vazhdon të zgjerojë mbështetjen në fushatën e tij si kandidat republikan për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.
Në një sondazh të ri të kryer nga gazeta the Washington Post dhe televizioni ABC, rezultatet e të cilit dolën sot, 33 për qind e votuesve republikanë thanë se do të votonin për zotin Trump. Kjo shifër është më e lartë se 24 për qind që thanë në korrik se do ta mbështesnin atë.
Ish neurokirurgu Ben Carson është tani në vend të dytë, duke zgjeruar përkrahjen e tij nga 6 në 20 për qind që nga korriku.
Kandidatët e tjerë republikanë nuk po arrijnë ta zgjerojnë mbështetjen në prag të debatit të dytë që do të mbahet të mërkurën.
Ish-guvernatori i Floridës Jeb Bush siguroi 9 për qind mbështetje në anketë, pasuar nga senatori nga Teksasi Ted Cruz dhe senatori nga Florida Marco Rubio me nga 7 për qind.
Rënie e mbështetjes për demokraten Hillary Clinton
Nga ana e demokratëve, mbështetja për kandidaten presidenciale Hillary Clinton ka rënë, megjithatë me 56 për qind përkrahje ajo ka një epërsi të ndjeshme ndaj rivalit Bernie Sanders, senator nga Vermonti, i cili siguroi 28 për qind. Por nëse nënpresidenti Joe Biden merr vendimin të hyjë në garë, zonja Clinton mund të përballet me një sfidë më të madhe. Nëse zoti Biden është një nga alternativat, vetëm 42 për qind e votuesve demokratë thanë se do të zgjidhnin zonjën Clinton, pasuar nga 24 për qind për senatorin Sanders dha 21 për qind për nënpresidentin Biden.
Rreth gjysma e të anketuarve thanë se përdorimi i emailit personal nga ana e zonjës Clinton gjatë kohës kur ishte Sekretare Shteti, ishte shkelje e rregullave qeveritare dhe se ata janë kundër mënyrës sesi ajo po reagon ndaj kësaj çështjeje. Megjithatë 49 për qind thanë se nuk është një çështje legjitime për t’u shtruar për zgjedhjet, përballë 44 për qind që thanë se është.
Sipas anketës, zonja Clinton do të kishte pothuajse të njëjtën mbështetje sa edhe zoti Trump nëse zgjedhjet mbaheshin sot.
Të pyetur për zotin Trump, 63 për qind e të anketuarve thanë “jo” kur u pyetën nëse ai “kishte personalitetin dhe temperamentin e duhur për të shërbyer me efektivitet si president”.
Trump kundër drejtuesve të korporatave të mëdha?
Dje, zoti Trump kritikoi rrogat e larta të drejtuesve të korporatave si “të turpshme”.
Ai tha në emisionin “Face the Nation” të televizionit CBS se “sheh njerëz të tillë që bëjnë shuma të jashtëzakonshme parash dhe është qesharake”.
Në fushata politike, kandidatët demokratë shpesh kritikojnë ashpër pabarazinë e madhe në pagë me raste kur ndonjëherë paga e drejtorëve ekzekutivë të kompanive të mëdha është 350 herë më e lartë sesa ajo e punojësve të tyre. Por republikanët, partia e të cilëve konsiderohet shpesh si partia e biznesit të madh në Shtetet e Bashkuara, rrallë sulmojnë pagat e larta të drejtuesve të korporatave dhe Wall Street-it.
69 vjeçari Trump shpesh krenohet me pasurinë e tij dhe suksesin në biznes në ndërtimin e grataçelave në Nju Jork. Por ai ia vuri fajin për rrogat e larta të drejtuesve të biznesit, atyre vetë duke thënë se ata vendosin miqtë e tyre në bordet e korporatave që nga ana e tyre miratojnë rrogat e larta të drejtuesve të kompanive.
Zoti Trump ka adoptuar një mesazh populist kundër Uashingtonit që e ka nxjerrë atë në krye të 16 kandidatëve republikanë.
Trump kundër të tjerëve
Disa nga kandidatët republikanë kanë premtuar se në debatin e së mërkurës do të sulmojnë zotin Trump për ndryshimin e qëndrimeve të tij për çështjen e kujdesit shëndetësor, abortit dhe temave të tjera në të kaluarën dhe se do të paraqesin argumenta se pikëpamjet e tij nuk përputhen me ato të shumicës së votuesve konservatorë.
Kreu i Partisë Republikane Reince Priebus tha të dielën në CNN se “ka shumë mundësi që në debatin e kësaj jave të ketë më shumë sulme” sesa në atë të muajit të kaluar.
Në një intervistë për televizionin ABC, kandidati tjetër republikan Carson hodhi poshtë komentin e zotit Trump se ai nuk kishte energji të mjaftueshme për të qenë president.
“Nuk ka nevojë që të bërtasësh që të jesh energjik”, tha zoti Carson.