Departamenti amerikan i Shtetit tha të hënën se Shtetet e Bashkuara mbështesin demokracinë, qeverisjen e mirë dhe të drejtat e njeriut në kohën e pandemisë dhe qeveritë nuk duhet të përdorin sëmundjen si shkas për të shtypur të drejtat e njeriut dhe idetë.
Në një komunikatë të Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet e “shoqëritë që respektojnë dhe mbrojnë të drejtat e njeriut, liritë themelore, institucionet demokratike dhe sundimin e ligjit, janë të përgatitura më së miri për t'u përgjigjur në mënyrë transparente dhe efektive ndaj krizave. Një respektim i fortë ndaj të drejtave të njeriut, si dhe veprimi gjithëpërfshirës shoqërisë, janë pjesë e nevojshme e zgjidhjes së krizave të shëndetit publik. Veprimet e qeverive kundër epidemisë së COVID-19, nuk duhet të përdorin sëmundjen si pretekst për shtypjen e personave ose ideve”.
Qeveria amerikane, thuhet në njoftim, “shfrytëzon diplomacinë dypalëshe dhe shumëpalëshe, ndihmën e huaj dhe mjetet e burimet e tjera të politikës së jashtme për të përparuar normat demokratike dhe për të luftuar reagimet autoritare ndaj pandemisë së COVID-19-tës”.
Në Departamentin e Shtetit, Zyra për Demokraci, të Drejtat e Njeriut dhe Punë, ka ngritur një grup pune për COVID-19-tën për të bashkërenduar politikën dhe programimin mbi transparencën dhe llogaridhënien e qeverisë, pjesëmarrjen e plotë të shoqërisë civile dhe qasjen në informacion. Departamenti i Shtetit dhe Agjencia Amerikane për Ndihmë Ndërkombëtare (USAID), kanë ndërmarrë veprime për të çuar përpara vlerat demokratike gjatë pandemisë në shumë vende të botës, përfshirë edhe Kosovën.
Lexoni edhe këtë SHBA-të ndanë edhe gjysmë milioni dollarë ndihmë Kosovës në luftimin e pandemisë“Në Kosovë, programi i USAID-it për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë, lehtësoi hartimin e një Plani të Përgatitjes së Emergjencave për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, për të udhëhequr vendimet dhe punën e Këshillit gjatë pandemisë së COVID-19 dhe përgjigjen ndaj emergjencave të tjera në të ardhmen. Programi është duke mbështetur gjithashtu zhvillimin e planeve të veprimit gjyqësor që ndër të tjera trajton edhe rrugën e zgjidhjes së situatës me lëndët e prapambetura si rrjedhojë e kufizimit të seancave dëgjimore gjatë pandemisë”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit.