Këshilli i Atlantikut, një forum për çështjet ndërkombëtare, do të mbledhë të mërkurën në Washington ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit dhe ekspertë të njohur nga të dyja anët e Atlantikut, për të parashtruar ide dhe propozime të reja rreth politikave që mund të ndiqen në Ballkan dhe për të nxitur një angazhim të ri amerikan në rajon.
Para takimit forumi publikoi një raport mbi Strategjinë e re amerikane në Ballkan që vlerëson gjendjen aktuale në rajon dhe propozon hapat konkret për angazhimin e Shteteve të Bashkuara.
Your browser doesn’t support HTML5
Në raport thuhet se pas një dekade dhune në vitet e 90-ta, mendohej se Ballkani Perëndimor është në binarët e qëndrueshmërisë. Premtimi për integrime euro -atlantike do të ndihmonte vendet e dala nga ish Jugosllavia që të zbatojnë reformat e dhimbshme të brendshme dhe do të shtynte rajonin drejt bashkëpunimit më të ngushtë që do të ndihmonte shërimin e plagëve të luftërave.
Raporti thekson se ka pasur përparim duke përmendur anëtarësimin e Sllovenisë e Kroacisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian si dhe të Shqipërisë e Malit të Zi në NATO.
Të trimëruar nga këto suksese, angazhimi evropian dhe amerikan u zbeh me kalimin e kohës, duket për shkak të një besimi pasiv në rrugëtimin e pashmangshëm të rajonit, thuhet në raport. Rezultatet ishin të parashikueshme.
"Institucionet edhe ashtu të dobëta u goditën nga vala e migruesve dhe refugjatëve që po iknin për në Evropë. Papunësia e vazhdueshme, grindjet politike dhe korrupsioni i përhapur janë recetë për radikalizimin e popullsisë së re myslimane. Dhe përgjatë dy viteve të fundit janë parë përpjekje tronditëse të Rusisë për të shfrytëzuar patologjitë e vazhdueshme të rajonit për të rrënuar projektin evropian".
Ndonëse rajoni edhe më tej gjerësisht synon t'i bashkohet perëndimit, rezultati përfundimtar nuk duhet të merret si i mirëqenë. Shtetet e Bashkuara, posaçërisht, mund dhe duhet të luajnë rol thelbësorë.
"Ne duhet t'i japim zë pikëpamjes së qartë e të përbashkët për rajonin dhe të bashkërendohemi me Bashkimin Evropian për të rivendosur qartësinë e synimeve të përbashkëta transatlantike".
Përtej kësaj, theksohet në raport, janë disa hapa konkretë që Shtetet e Bashkuara duhet të marrin për të ndihmuar qëndrueshmërinë aq të nevojshme në rajon:
- Vendosjen e një pranie të përhershme ushtarake në Evropën juglindore;
Një veprim i tillë do të demonstronte një angazhim të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara ndaj sigurisë në rajon dhe do të forconte aftësinë afatgjatë të Shteteve të Bashkuara për të ndikuar mbi zhvillimet. Kampi Bondsteel në Kosovë është ideal për këtë qëllim. Trupat do të ndihmonin forcimin e mundësive të autoritete vendase për të parandaluar terrorizmin nëpërmjet stërvitjeve dhe shkëmbimit të praktikave më të mira dhe do të ofronin ndihmë në rast të katastrofave humanitare. Veprimi do të dërgonte po ashtu një mesazh të qartë në rajon se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të penguar përmbysjen e rendeve ekzistuese - një gjë që aventurizmi rus e ka trimëruar.
- Ndjekja e një afrimi 'historik' me Serbinë: Kjo nuk është aspak një qasje e re, por ka nevojë për një përpjekje më të fuqishme në kontekstin e angazhimit të përtërirë në rajon. Beogradi mund dhe duhet të jetë një partner dhe aleat i ngushtë në rajon, por mund të jetë i tillë vetëm nëse fillon distancimin e tij kuptimplotë nga Rusia dhe në këtë çështje Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk duhet të bëjnë kompromis.
- Rivendosja e reputacionit të Shteteve të Bashkuara si ndërmjetës i ndershëm: Mbyllja e syve para autoritarizmit të udhëheqësve të rajonit, mund të ishte e dobishme për një kohë të shkurtër. Por, ndjekja e verbër e stabilitetit me çmimin e përparimit në zhvillimin demokratik, praktikisht garanton vazhdimësinë e patologjive që kanë pllakosur rajonin. Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO paraqet një mundësi për të ndihmuar një partner në zhvillim që të veprojë drejt në përkushtimin e tij për reforma të thella demokratike. Depërtimi i reformatorëve pro-evropianë në Maqedoni, paraqet një mundësi tjetër. Shtetet e Bashkuara duhet të nxisin përpjekjet për të përgatitur Athinën dhe Shkupin që të bëhen aleatë dhe t'i bashkohen BE-së për të çuar bisedimet ndërmjet Beogradit e Prishtinës drejt përmbylljes.
- Mbështetja për sipërmarrësit dhe të rinjtë e rajonit: Asnjë nga këta hapa nuk ka kuptim pa trajtuar perspektivat afatgjata ekonomike për të rinjtë e rajonit, thuhet në raport në të cilin nënvizohet se Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen me partnerët evropianë për të krijuar mundësi kuptimplota ekonomike për qytetarët e rajonit.
Bashkimi Evropian, thuhet në raport, është dhe duhet të mbetet lojtari kryesor në Ballkanin Perëndimorë, duke përkushtuar më shumë burime, mjete, kapital njerëzor dhe vëmendje politike për rajonin sesa Shtetet e Bashkuara.
Nuk do të ketë të ardhme të ndritshme për Evropën juglindore pa BE-në dhe udhëheqjen e saj.
Megjithatë, Shtetet e Bashkuara kanë një autoritet të veçantë që mund të përdoret për të çuar përpara interesat e tyre për të siguruar që rajoni të mos bëhet më eksportues i problemeve serioze, aq më pak të konflikteve.