SHBA, thirrje për bisedime mes palëve në Afganistan

Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në bisedimet për pajtimin në Afganistan, po bën thirrje për negociata të drejtpërdrejta mes talebanëve dhe qeverisë së Kabulit. Ai i konfirmoi detajet në një projektmarrëveshje, që synon t’i japë fund konfliktit 17-vjeçar në Afganistan.

Zalmay Khalilzad tha të hënën gjatë vizitës së tij në Kabul se politika amerikane është që të zhvillohen bisedime ndërafgane.

Edhe Presidenti afgan Ashraf Ghani po i bën thirrje grupit kryengritës “të fillojë një dialog serioz me qeverinë.”

Ghani i ka bërë disa herë oferta talebanëve të negociojnë “kurdoqoftë dhe kudoqoftë”, pa kushte paraprake, por talebanët i kanë hedhur poshtë propozimet e tij.

Bisedimet mes talebanëve dhe diplomatëve amerikanë filluan verën e kaluar në Doha.