Shtetet e Bashkuara heqin ndalimin e udhëtimeve për shkak të pandemisë

Shtetet e Bashkuara hoqën të hënën kufizimet në udhëtime nga një listë e gjatë vendesh, përfshirë Meksikën, Kanadanë dhe pjesën më të madhe të Evropës, duke i lejuar turistët të hyjnë në vend dhe anëtarët e familjeve të ribashkohen me të dashurit, pas më shumë se një viti e gjysmë kufizimesh për shkak të pandemisë së COVID-19.

Your browser doesn’t support HTML5

SHBA heq ndalimin e udhëtimeve për shkak të pandemisë

Duke filluar nga e hëna, Shtetet e Bashkuara po pranojnë hyrjen e udhëtarëve plotësisht të vaksinuar në aeroporte dhe kufij tokësorë, duke hequr një kufizim të vendosur që në periudhën e administratës së ish presidentit Donald Trump. Rregullat e reja lejojnë hyrjen në rrugë ajrore për sa kohë që udhëtari ka dëshmi të vaksinimit dhe një test negativ për COVID-19. Udhëtarët që hyjnë në Shtetet e Bashkuara në rrugë tokësore nga Meksika dhe Kanadaja, do të duhet të dëshmojnë vaksinimin, por nuk kanë nevojë për test.

Lexoni edhe këtë Shtetasit e huaj të vaksinuar mund të hyjnë në SHBA duke filluar nga 8 nëntori

Linjat ajrore presin më shumë udhëtarë nga Evropa dhe gjetkë. Të dhënat nga kompania e analitikës Cirium, treguan se linjat ajrore po rrisin fluturimet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara me 21 për qind këtë muaj krahasuar me muajin e kaluar.

Ndryshimi do të ketë një ndikim të thellë në kufijtë me Meksikën dhe Kanadanë, ku udhëtimi tutje tëhu ishte një mënyrë jetese, derisa pandemia goditi dhe Shtetet e Bashkuara ndaluan udhëtimet jo thelbësore.

Qendrat tregtare, restorantet dhe dyqanet në qytetet kufitare amerikane, janë shkatërruar nga mungesa e vizitorëve nga Meksika. Në kufirin me Kanadanë, rivalitetet ndërkufitare të ekipeve të hokejit ishin tradita të komunitetit derisa u përmbysën nga pandemia. Kishat që kishin pjesëtarë në të dy anët e kufirit shpresojnë të mirëpresin pjesëtarët e famullive që nuk i kanë parë gjatë mbylljes për shkak të COVID-19.

Të afërmit kanë humbur pushimet, ditëlindjet dhe funeralet ndërsa udhëtimet jo thelbësore ajrore ishin të ndaluara, dhe ata tani janë të etur për t'u rilidhur.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Shtetet e Bashkuara do të pranojnë udhëtarët që janë vaksinuar plotësisht me ndonjë nga vaksinat e miratuara për përdorim emergjent nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, jo vetëm ato që janë në përdorim në SHBA. Kjo do të thotë se vaksina AstraZeneca, që përdoret gjerësisht në Kanada, do të pranohet.