Kosovë: Ceremoni diplomimi në Universitetin Amerikan

Ceremonia e diplomimit

Universiteti Amerikan i ndau titullin Honoris Causa, nobelistit me prejardhje shqiptare, Ferid Muradi.

Përfaqësues politik të Kosovës, të institucioneve arsimore dhe organizatave ndërkombëtare, thanë sot në Prishtinë se Kosova ndodhet në një epokë të re të zhvillimit të saj si një faktor pozitiv politik dhe ekonomik në rajon.

Ata i bënë këto komente gjatë ceremonisë së diplomimit të studentëve të Universitetit Amerikan në Kosovë, një ndër institucionet e para të arsimit të lartë jo publik në Kosovë, i themeluar në vitin 2003.

Oratorët nënvizuan rolin e këtij Universiteti në një periudhë thelbësore për të ardhmen e Kosovës.

Në ceremoninë e sotme ky Universitet i ndau titullin Honoris Causa, Nobelistit me prejardhje shqiptare, Ferid Muradi.

Duke folur në ceremoni, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u bëri thirrje studnetëve që të angazhohen për ndërtimin dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës.

“Të gjithë po punojmë tё ndёrtojmё njё tё ardhme më tё mirë pёr Kosovën, një Kosovë ndryshe prej asaj në të cilën jetuam, ku secilit qytetar, pavarësisht prejardhjes etnike, fetare apo racore i jepet mundësia të dëshmojë talentin dhe punën e palodhshme. Ju sot radhiteni në mesin e eruditëve, me mundësi që të korrni sukseset e investimit tuaj dhe të prindërve tuaj. Por, ajo që ju veshët me këtë diplomë, është petku i përgjegjësisë që vizionin dhe premtimin për ndërtimin e njё tё ardhmeje mё tё sigurt për ata që vijnë pas nesh, ta jetësoni”, tha presidentja Jahjaga.

Mysafir nderi në këtë ceremoni ishte edhe ish kandidati presidencial amerikan, Howard Dean, i cili tha se Shtetet e Bashkuara do të mbeten të përkushtuara ndaj Kosovës dhe të ardhmes së saj euroatlantike. Duke tërhequr vëmendjen në të kaluarën e rëndë të Kosovës, ai tha se vendi ka shënuar përparim dhe tashmë ka një qeverisje të mirë dhe “një kushtetutë që mbron te drejtat e pakicave kombëtare më mirë se të gjitha kushtetutat në Ballkan”.

Universiteti Amerikan në Kosovë u themelua në vitin 2003 me synimin për të ofruar një edukim të cilësisë së lartë amerikane, për të rinjtë dhe të rejat e Kosovës. Por, gjatë këtyre viteve në këtë institucion kanë studiuar edhe të rinj nga vende tjera të rajonit.