Zgjedhjet në Britani në përgatitje për negociatat e Brexit-it

Britanikët po votojnë sot në zgjedhje të parakohëshme të shpallura në prill nga Kryeministrja Theresa May. Zonja May thotë se kërkon një mandat të fortë kur të shkojë në Bruksel për negociatat mbi finalizimin e daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian. Por shpresat e saj se do të sigurojë një shumicë të thellë janë venitur, ndërkohë që në anketa laburistët duket se i kanë forcuar pozitat. Zgjedhjet u zhvilluan në një klimë të ngarkuar, pas një seri sulmesh terroriste të ditëve të fundit:

Kryeministrja po vizitonte dje një treg në Londër, kur u gjend përballë një grupi kundërshtarësh që hidhnin parulla kundër qeverisë së saj. Pas tre sulmesh gjatë dy muajve të fundit, zonja May e ka vënë luftën kundër terrorizmit në krye të axhendës së qeverisë së saj konservatore:

“Nëse ligjet që kemi për të mbrojtur të drejtat e njeriut na pengojnë në këtë luftë, do t’i ndryshojmë ligjet që ta arrijmë synimin,” shprehet zonja May.

Ky zotim u përcoll me kritika nga udhëheqësi i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn:

“Përgjigja ndaj kërcënimeve që i bëhen demokracisë nuk është reduktimi i demokracisë, por lufta kundër kërcënimit. Kjo kërkon mbështetjen e duhur për policinë dhe forcat e sigurisë,” tha zoti Corbyn.

Anketat e hershme tregonin se konservatorët do të siguronin një fitore të thellë. Por epërsia e tyre është ngushtuar gjatë ditëve të fundit.

Pas shpalli zgjedhjet e parakohëshme, Theresa May tani shpreson të mos dalë e turpëruar.

"Nëse nuk del më mirë se David Cameron në 2015, do të shihej si një humbje për të. Duket se Jeremy Corbyn paraqitet në anketa shumë më mirë se ç’e mendonin shumë vetë,” thotë Iain Begg i Shkollës Ekonomike të Londrës.

Në mënyrë që të ketë shanse reale për fitore, zotit Corbyn i duhet një pjesëmarrje e lartë e rinisë. Por shumë votues vënë në pikëpyetje politikat e tij për sigurinë kombëtare.

Në vend të tretë në anketa rezultojnë liberal-demokratët, të cilët janë kundër Brexit-it. Analistët thonë se vendi duhet të shohë drejt së ardhmes.

“Ekonomia, kujdesi shëndetësor dhe njerëzit që janë në krye të partive – këto janë temat kryesore. Dalja nga BE-ja nuk është në krye të listës së përparësive,” thotë zoti Begg.

Mbështetja ka rënë për Partinë e Britanisë së Pavarur, një forcë politike e ekstremit të djathtë. Shumë votues janë rikthyer tek konservatorët. Theresa May thotë se i duhet të sigurojë një fitore të fortë, që do t’i jepte më shumë peshë në negociimin e termave të Brexitit.

“Ajo do të ulet për negociatat më të rëndësishme që ka zhvilluar ndonjë qeveri britanike në një gjeneratë, ndoshta që nga Lufta II Botërore,” thotë redaktori i portalit mediatik Politicshome.com, Kevin Schofield.

Sipas anketave, nëse konservatorët sigurojnë një fitore të thellë, ka gjasa që të fuqizohet lëvizja për pavarësinë e Skocisë. Pas Brexit-it, Partia Kombëtare Skoceze ka kërkuar një referendum të dytë për t’u shkëputur nga Britania.

“Shumica e skocezëve nuk duan një tjetër referendum kaq shpejt; shumë prej tyre mendojnë se e thanë fjalën në 2014,” thotë Kevin Schofield i poralit Politicshome.com.

Terrorizmi, Brexit-i dhe mundësia e shpërbërjes së Britanisë, të gjitha këto janë sfida madhore, për të cilat secila nga forcat politike ofron zgjidhje krejt të ndryshme.