Udhëzues i ri mbi përdorimin e ilaçeve për uljen e temperaturës tek fëmijët

  • Vidushi Sina

26 tháng 9: Đài tưởng niệm Tổng thống Washington vào lúc chuyên viên đánh giá thiệt hại sau trận động đất 23 tháng 8. (AP Photo/Jacquelyn Martin)

Akademia Amerikane e Pediatrisë ka nxjerrë një udhëzues të ri, ku informon prindërit që të mos përdorin pa kriter ilaçet kundër temperaturës për fëmijët. Ekspertët thonë se prindërit shpesh alarmohen pa nevojë kur fëmijës i ngrihet temperatura, e cila në fakt është një shenjë pozitive se trupi po lufton infeksionin:

Kur Kaitlyn ishte me 38 gradë temperaturë, e ëma Jill Cox i dha ilaç që t’i ulte temperaturën në nivel normal.

“Nuk i jap ilaçe thjesht për t’i ulur temperaturën, por edhe për ta qetësuar vajzën”.

Udhëzuesi i ri i Akademisë Amerikane të Padiatrisë mbi reagimin në raste temperature tek fëmijët rekomandon që prindërit të mos jenë shumë të preokupuar që fëmija të ketë një temperaturë normale trupi. Sipas anketimeve nga mjekë pediatër, afro gjysma e prindërve mendojnë se kur termometri tregon 38 gradë, fëmija është me temperaturë. Po ashtu, 1 e katërta e të aketuarve thanë se do t’u jepnin fëmijëve ilaçe kundër temperaturës për temperaturë nga 37-38 gradë.

Dr. Kimberly Giuliano është pediatre në Klinikën e Pediatrisë në Spitalin e Klivlandit. Ajo nuk ishte e përfshirë në përgatitjen e udhëzuesit të ri, por përshëndet vëmendjen që i kushtohet aspekteve pozitive të temperaturës:

“Temperatura është mbrojtja natyrale e trupit kundër infeksionit. Trupi rrit temperaturën për të luftuar bakteriet apo viruset që kanë sëmurur fëmijën. Po ashtu temperatura nxit një funksionim më të mirë të disa elementëve të sistemit imunitar. Pra temperatura është diçka pozitive”.

Kate Hjelm thotë se e dinte se vajza e saj 1 vjeçe Chloe po luftonte infeksionin, kur iu ngrit temperatura. Por ajo i dha ilaçe, pasi si prind i duhej të bënte diçka:

“Është e vështirë të mos bësh asgjë për ta ndihmuar fëmijën të qetësohet, megjithëse mund ta kesh të qartë në mendje se do të ishte më mirë të mos i jepje ilaçe”.

Ekspertët gjithashtu vënë në dukje se temperatura ndihmon trupin të kapërcejë më shpejt infeksionet duke ngadalësuar ritmin e përhapjes së bakteries apo virusit dhe duke rritur prodhimin e qelizave të bardha që janë vija e frontit mbrojtës të trupit kundër infeksionit. Udhëzuesi i ri nënvizon se pavarësisht se ekziston një mendësi krejt e kundërt, nuk është zbuluar ndonjë lidhje mes temperaturës së lartë dhe problemeve në tru, spazmës apo vdekjes. Por nënat përgjithësisht përpiqen të shmangin rreziqet:

“Jam mirënjohëse për faktin që jetoj në një kohë kur ekzistojnë ilaçe që mund t’ia jap fëmijës për ta shëruar dhe për ta qetësuar kur është e sëmurë”.

Mjekët pohojnë se synimi kryesor i ilaçeve kundër temperaturës është të qetësojnë pacientin. Ata i këshillojnë prindërit të mos e zgjojnë fëmijën nga gjumi për t’i dhënë ilaçe kundër temperaturës.

“Shumë prindër mendojnë se duke qenë se etiketa e ilaçit thotë se mjekimi mund të jepet çdo 4-6 orë, atëherë edhe nëse 4 orë mbushen në mes të natës, duhet ta zgjojnë fëmijën për t’i dhënë ilaçin. Por gjumi është shumë i rëndësishëm për fëmijën e sëmurë. Pra nëse fëmija nuk zgjohet vetë dhe nuk shfaq shqetësim, nuk ka arsye për ta ngopur fëmijën me ilaçe kundër temperaturës”.

Udhëzuesi rekomandon gjithashtu që prindërit të kontrollojnë nëse fëmija ka shenja të ndonjë sëmundjeje serioze dhe t’i japin sa më shumë lëngje. Ai gjithashtu identifikon disa nga rreziqet që lidhen me përdorimin e ilaçeve kundër temperaturës, si për shembull fshehja e simptomave të një problemi shëndetësor, gjë që vonon mjekimin e duhur dhe shpesh herë dhënia e një sasie të tepërt ilaçesh.