Udhëheqësit ushtarakë pakistanezë dhe amerikanë takohen për Afganistanin

Gjenerali Austin Scott Miller, gjatë takimit me Gjeneralin Qamar Javed Bajwa

Komandati amerikan i forcave ndërkombëtare në Afganistan udhëtoi drejt Pakistanit për të diskutuar përpjekjet për paqen në Afganistan me komandatin ushtarak të Pakistanit.

Vizita e Gjeneralit Austin Scott Miller zhvillohet ndërsa pati njoftime për një reduktim të mundshëm të njësive amerikane në Afganistan dhe një shtim të përpjekjeve për negociata me rebelët talebanë, me synim dhënien fund të luftës 17-vjeçare në këtë vend.

Në një njoftim të ushtrisë thuhet se Gjenerali pakistanez Qamar Javed Bajwa i tha Gjeneralit Miller se Islamabadi është i angazhuar ndaj përpjekjeve për paqe në Afganistan.

“Të dy shprehën pikëpamjen e përbashkët për rëndësinë e një zgjidhjeje politike të situatës në Afganistan dhe nënvizuan se vetëm një proces i udhëhequr nga vetë afganët mund të udhëheqë drejt paqes në Afganistan”, thuhet në deklaratë.

Pakistani, i cili akuzohet për strehimin e udhëheqësve talebanë, mori meritat për organizimin e bisedimeve dy-ditore më herët gjatë këtij muaji mes zyrtarëve amerikanë dhe rebelëve, në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në atë takim pati përfaqësues të Arabisë Saudite, Pakistanit dhe Emirateve Arabe.

Talebanët thanë se përfaqësuesit e tyre në negociata kërkuan përcaktimin e “një date ose një kalendari” për tërheqjen e plotë të forcave ndërkombëtare nga Afganistani, duke e përkufizuar prezencën e tyre si “pengesën më të madhe” për arritjen e paqes.

Nuk është e qartë nëse urdhërat që u njoftuan të jenë dhënë nga Presidenti Donald Trump për tërheqjen e mbi gjysmës së 14 mijë ushtarakëve nga Afganistani të kenë lidhje me takimin në Abu Dhabi. Gjithashtu, zyrtarët në Uashington nuk i kanë konfirmuar njoftimet për një tërheqje të mundshme.

Talebanët dhe Zalmay Khalilzad, drejtuesi i ekipit negociator amerikan, i kanë përshkruar bisedimet në Emirate, si “produktive”, dhe premtuan të takohen sërish në të njëjtin vend.

Dialogu mendohet se synon zhvillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta mes talebanëve dhe qeverisë në Kabul, e cila gëzon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, rebelët vazhdojnë të refuzojnë negocimin me të dërguarit afganë, duke e konsideruar qeverinë afgane si një qeveri kukull të krijuar nga SHBA-ja.

Talebanët gjithashtu kërkuan sot tërheqjen trupave amerikane nga Afganistani. Kërkesa u përsërit me rastin e përvjetorit të pushtimit ushtarak të Afganistanit nga Bashkimi Sovjetik, në vitin 1979. Grupi rebel thotë se forcat ndërkombëtare të udhëhequra nga SHBA-ja, po “përballen me të njëjtin fat” si forcat sovjetike, të cilat u detyruan të tërhiqen.

Njoftimet për një tërheqje të mundshme shqetësuan zyrtarët ushtarakë afganë, duke e shtyrë Gjeneralin Miller të ofronte siguri për vazhdimësinë e mbështetjes amerikane.

“Keni parë të njëjtat njoftime, ashtu si unë, nga gazetat. Por, dua t’ju siguroj se nuk kam marrë urdhëra. Pra, asgjë nuk ka ndryshuar. Por, edhe nëse do të marr urdhëra të tillë, mendoj se është e rëndësishme të dini se ne vazhdojmë të qëndrojmë krah forcave të sigurisë”, tha Gjenerali Miller.

Vetëm një ditë më parë, autoritetet afgane thanë se po shqyrtojnë shtyrjen me disa muaj të zgjedhjeve presidenciale të caktuara fillimisht për në datë 20 prill. Ky njoftim ngjalli spekullime se shtyrja mund të jetë në mbështetje të përpjekjes të udhëhequr nga SHBA-ja për arritjen e një marrëveshjeje paqeje me talebanët, dhe krijimin kështu të terrenit për një proces zgjedhor të besueshëm në Afganistan.