Kryeqyteti i Shteteve të Bashkuara, Uashington, DC, është kryeqendra e politikës së vendit dhe institucioneve amerikane. Dhe javët e fundit qyteti është bërë dhe një nga skenat e demonstrimeve më masive për mbrojtjen e të drejtave civile. Por shqetësimet nga koronavirusi janë të ngjashme me ato të të gjithë njerëzve në pjesë të tjera të Shteteve të Bashkuara. Ndërsa qyteti rihapet pak nga pak, kolegia Keida Kostreci vizitoi një nga zonat që vitet e fundit është bërë shumë popullore, falë atmosferës dhe bukurisë natyrore dhe foli me disa banorë dhe vizitorë që kishin dalë për shëtitje.
The Wharf, Skela, është një shëtitore me restorante, dyqane dhe ambjente të tjera zbavitjeje buzë lumit Potomak, ku njerëzit, edhe pse më të pakët në numër se ç’do të kishin qenë një vit më parë, shijojnë një ditë të këndshme vere. Por kënaqësia që provojnë bashkëjeton me shqetësimin.
“Se njerëzit mund të sëmuren dhe mund të kemi një valë të dytë, por edhe dua që njerëzit të kenë mundësitë ekonomike që meritojnë, që të jenë mirë, prandaj është një tablo e përzier”, thotë Eva, një punonjëse e kujdesit mendor Zërit të Amerikës.
Në Uashington, DC është ende në fuqi faza e parë e rihapjes, që do të thotë që njerëzit mund të dalin nga shtëpia, restorantet janë të hapura, por vetëm me masa të distancimit fizik dhe në ambjentet përjashta, ose për të marrë ushqim, dhe parqet janë hapur, por sportet me kontakt fizik nuk lejohen.
Merilendi dhe Virxhinia, në kufi me Uashingtonin janë në fazën e dytë, ashtu si edhe disa shtete të tjera.
Kryebashkiakja e qytetit, Muriel Bowser tha të hënën, në konferencën e saj për shtyp për koronavirusin se fakti që shtetet që janë hapur me një ritëm më të shpejtë po shohin një rritje të rasteve tregon se një qëndrim më i matur është ai i duhuri.
“Ne kemi arritur ta sheshojmë kurbën dhe rastet tona vazhdojnë të ulen, që është diçka pozitive, por ne kemi ecur me atë ritëm që mendojmë se sugjerojnë shifrat tona”, tha ajo.
Eva është dakord.
“Deri në momentin kur të mund të garantojmë shëndetin e njerëzve, mendoj se të veprojmë me ngadalë dhe kujdes, është lëvizja më e zgjuar për t’i mbrojtur të gjithë”, thotë ajo.
Në Uashington ka pasur 9'800 raste me infeksion deri tani dhe qyteti ka shtuar kapacitetet e testimit, ndërkohë që kryebashkiakja Bowser tha se që sot e tutje ofrohen edhe testime për antitrupa, që do të përcaktonin edhe se kush e ka pasur infeksionin, duke krijuar një pamje më të qartë për përhapjen e virusit.
Sipas planeve të deritanishme, faza e dytë e rihapjes do të fillojë në fund të kësaj jave.
Michael Obindu nga Nigeria, sapo ka mbaruar studimet për master në financë nga Universiteti Howard në Uashington. Ai thotë se është i kënaqur me gjendjen e tanishme, krahasuar me tre muaj më parë.
“Çdo gjë pak a shumë ishte e mbyllur dhe ekonomia ishte vërtet në një gjendje të keqe, dhe përqindja e papunësisë po shkonte lart e më lart”, thotë ai për Zërin e Amerikës.
Megjithëse dyqanet kanë filluar të hapen dhe njerëzit kanë filluar të dalin, Michael thotë se e kupton që ka ende një rrugë të gjatë përpara.
“Por fakti që jemi në drejtimin e duhur është shpresëdhënës për njerëz si unë, i sapodiplomuar dhe duke kërkuar për punë”.
Michael që luante me ekipin e basketbollit të Universitetit të tij, e ka pritur me entuziazëm lajmin që NBA do të rifillojë lojërat në korrik, megjithëse pa publik.
Turistët do të kishin mbushur Uashingtonin në këtë kohë. Khalid Benghallem ka ardhur me makinë nga Florida me dy fëmijët e tij, pasi ata mbaruan shkollën. Ai tha se ishte e pazakontë ta shihnin Uashingtonin aq të qetë.
“Jam mësuar ta shoh Uashingtonin plot me njerëz, por kur erdhëm nuk kishte shumë njerëz. Në fakt u ndjemë të sigurt, sidomos duke pasur parasysh se në Florida ka një rritje. Këtu të gjithë mbajnë maska dhe respektojnë distancën”, i thotë ai Zërit të Amerikës.
Për ta ishte kënaqësi që të shëtisnin, pa turma të mëdha.
Hannah Benghallem, sapo ka përfunduar vitin e parë të shkollës së mesme dhe si shumica e nxënësve në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera të botës, muajt e fundit e ka bërë mësimin nga distanca.
“Ndjehesh pak e vetmuar pa parë mësuesit dhe nxënësit e tjerë, por mësuesit na japin mësim nga distanca dhe ne mësojmë, por nuk është njëlloj si t’i kesh përballë”, thotë ajo.
Një nga shqetësimet e javëve të fundit në Uashington ka qenë nëse do të kishte një rritje të rasteve nga protestat masive pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd. Pandemia dhe protestat për drejtësi sociale, kanë konverguar, duke përftuar një moment në kohë shumë të pazakontë. Kjo gjendje nuk u shpëton qytetarëve të Uashingtonit.
“Pabarazia ekonomike dhe racore janë në fokus tani, është pjesë e asaj që duhet të bëhet dhe është e rëndësishme që ta kuptojmë dhe të bëjmë ndryshimet e duhura”, thotë Eva.
Dhe megjithëse ka mjaft pasiguri se si do të shpaloset e ardhmja në nivel personal dhe profesional, shumë njerëz, si Michael, zgjedhin optimizmin.
“Unë do të vazhdoj të ndjek ëndrrën time për atë që dua të bëj”, thotë ai.